Rizotot ashtu si dhe pasta janë pjata të para shumë të shijshme, të cilat mund ti përgatisim me përbërësit që na pëlqejnë apo ndodhen në kuzhinë.
Rizoto me Kallamarë dhe Perime është një recetë e shijshme dhe e thjeshtë, një kombinim plot vlera ushqyese dhe ngjyra e detit me tokën. Mund ta gatuani recetën për një vakt dreke apo darke, dhe ta shërbeni për gjithë familjen.
Ju mund të provoni edhe Kallamarë të Mbushur apo Kallamarë Friturë.
Përbërësit
- 300 g kallamarë
- 400 g oriz
- 1 kungull jeshil
- 1 karrotë
- 1 presh ose 1 qepë
- 3-4 domate të vogla
- 1/2 gotë verë e bardhë
- Kripë, piper, majdanoz i freskët
- Vaj ulliri
- 1 lugë gjalp, dhe 2 lugë djath grana i grirë
- 2 litra Lëng perimesh
Përgatitja
- Pastrojmë kallamarët dhe i presim në copa rrethore.
- Ndërkohë bëjmë gati edhe lëngun e perimeve. Duke zjerë për 20 minuta, qepë ose presh, karrotë, dhe majdanoz. Mund të shtoni edhe ndonjë kokë peshku për më shumë shije.
- Nisim të gatuajmë rizoton duke grirë preshin hollë dhe e kavërdisim me vaj ulliri.
- Presim kungullin dhe karrotat në kubikë të vegjël dhe i shtojmë në tenxhere. I kavërdisim me kujdes për 2-3 minuta.
- Shtojmë kallamarët dhe vazhdojmë përzierjen.
- Shtojmë edhe domatet e vogla të prera në gjysëm.
- Pasi të shikojmë që kallamarët kanë marrë ngjyrën e tyre të artë, shtojmë orizin të cilin e kemi zgjedhur të përshtatshëm për rizoto.
- E përziejmë orizin me gjithë perimet dhe kallamarin për 2 minuta dhe e shuajmë me verë të bardhë.
- Hedhim lëngun e nxehtë me garuzhde sa të mbulohet. Vazhdojmë zjerjen e rizotos duke i shtuar lëngun dhe duke e përzierë here pas here sa të gatuhet plotësisht.
- Në fund, i shtojmë piper të zi të bluar në moment dhe majdanoz të freskët të prerë imët. Mund ti shtoni dhe pak gjalp dhe djath të grirë në qoftë se dëshironi. Do ta bëjë rizoton me kremoz.
- Servireni të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Ju jemi mirënjohës për mbështetjen nëpërmjet komenteve, pyetjeve tuaja si dhe duke ndarë recetat tona.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.