Cannelloni është një petë lazanje mbledhur në formë tubi, e cila mbushet duke përdorur përbërës dhe receta të ndryshmë sipas preferencës ose me çfarë na ndodhet në shtëpi. Sot do sjellim një recetë klasike të kësaj llooj paste, Kaneloni Të Mbushura Me Spinaq Dhe Rikota.
Spinaqi kombinon më së miri me produktet dhe nënproduktet e qumështit, dhe në mënyrë të ngjashme si përgatisim mbushjen për byrekun me spinaq, po njësoj do veprojmë edhe për përgatitjen e mbushjes për Kanelonit.
Një pjatë vegjetariane shumë e shijshme, një pjatë e shpejtë për një vakt në fundjavë.
Përbërësit për 6 kaneloni ( 2 Persona)
- 6 copë kaneloni që nuk kanë nevojë të zihen.
- 150 g spinaq
- 125 g ricotta ose gjizë pa kripë
- 50 g djathë i grirë
- 1 vezë
- Kripë, piper, vaj ulliri
- 200 ml beshamelë
Për beshamelën duhen
- 1 lugë gjalp
- 1 lugë miell
- 200 ml qumësht
- Kripë, piper, arrë moskat
Përgatitja
- Në fillim përgatisim beshamelën. Në një tigan do të shtojmë gjalpin të tretet, shtojmë miellin dhe kaurdisim me lugë druri në temperaturë të ulët derisa sa të marrë ngjyrë të artë, por të mos digjet. Do e heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet pak, dhe shtojmë qumështin e ngrohtë gradualisht duke përzierë që mielli te tretet dhe mos ë bëhet kokërr. Do e vendosim në zjarr të mesëm dhe trazojmë sa masa të fillojë të trashet.
- Në një tenxhere me ujë me kripë që vlon, do të blashërojmë spinaqin për 3-4 minuta. Do e lëmë të ftohet, e grijmë më thikë, dhe e vendosim në një tas. Do të shtojmë rikotën, vezën, një pjesë të djathit të grirë, kripë, piper, vaj ulliri dhe i përziejmë mirë të na formohet një masë kremoze.
- Do të marrim një tavë, e lyejmë bazën e saj me beshamelë, dhe do i vendosim kanelonit, të cilat i mbushim me një lugë të vogël me radhë në tavë. Sipër do të hedhim beshamelën dhe pjesën tjetër të djathit të grirë.
- Do e pjekim në furrë të parangrohur në 190 gradë, për 30 minuta sa të marri ngjyrën e kuqërremtë.
- E heqim tavën nga furra, e lëmë të ftohet pak, dhe e servisim të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe komentoni recetat tona. Për çdo pyetje mos hezitoni të na kontaktoni. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.