Rizotto Me Karkaleca Dhe Kungull Dimëror është një pjatë e parë shumë e shijshme, e cila mund të përgatitet në çdo stinë. Kungulli në fakt është një zarzavat që mund ta gjejmë të freskët në stinën e vjeshtës dhe të dimrit, por të gjithë mund të ruajmë pak kungull në ngrirje për të shijuar këtë recetë edhe gjatë stinës së verës apo në fund të pranverës si kemi bërë edhe ne sot.
Receta është e ngjashme me Rizoton me Karkaleca dhe kungulleshka, por kungulli dimëror ka një tjetër delikatesë dhe ëmbëlsi, ndaj ju ftoj ta provoni edhe këtë kombinim të shijshëm për drekat tuaja familjare në fundjavë.
Receta konsumohet e freskët në moment ndaj më tepër ju rekomnadjmë ta gatuani për vaktet që mblidheni të gjithë rreth tryezës siç janë drekat në fundjavë apo darkat familjare gjatë javës.
Për më shumë receta rizotosh për stinën e pranverës dhe verës ne ju ftojmë të eksploroni blogun tonë.
Përbërësit
- 350 g oriz
- 250 g karkaleca
- 250 g kungull i verdhë
- 1 qepë e njomë ose presh
- Vaj ulliri
- Kripë e piper
- Majdanoz
- 125 ml verë e bardhë
- 1.5 l lëng ( kokat e karkalecave, qepë, karrotë, majdanoz, kripë dhe ujë)
Përgatitja
- Në një tenxhere do të fusim gjithë përbërësit për përgatitjen e brodos dhe ujin e ftohtë dhe do ti ziejmë për 20 minuta. Në këtë mënyrë do të përftojmë një lëng për rizoton të shijshëm dhe të aromatizuar.
- Në një tenxhere tjetër do të hedhim vaj ulliri dhe qepën e prerë imët.
- Do ta kavërdisim qepën për disa minuta sa të zbutet , do të shtojmë karkalecat e pastruar dhe kungullin e prerë në copa.
- Shtojmë kripë e piper të zi. I kavërdisim bashkë për disa minuta dhe shtojmë orizin.
- Do ta përziejmë dhe orizin për disa minuta sa të shohim që kokrra e tij është bërë transparente dhe do ta shuajmë me verën e bardhë.
- Presim sa të avullojë alkoli dhe do të shtojmë lëngun me garuzhde sa të mbulohet orizi. Lëngu duhet të jetë i nxehtë. Presim sa të avullojë sasia e parë e lëngut dhe do të shtojmë lëng tjetër përsëri.
- E përziejmë rizoton herë pas here sa herë që shtojmë lëng në tenxhere.
- Do të vazhdojmë duke shtuar lëng dhe duke e përzierë derisa të ziejë kokrra e orizit. Orizi duhet të jetë i butë dhe me pak lëng që të na dali kremoz në fund.
- Do të duhet rreth 18 -20 minuta deri në përfundim të gatimit. Nga fundi i shtojmë dhe majdanozin e grirë të freskët dhe pak vaj ulliri.
- E shërbejmë menjëherë të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!