Kjo recetë e Saganaki, karkaleca, djath Feta dhe domate është një recetë greke, e cila duke u kombinuar me domate dhe djathë feta, krijon një shije verore dhe shumë të shijshme. Kjo recetë është, e lehtë për tu përgatitur.
Më pëlqen të ndaj me ju këtë recetë sot, se si unë e gatuaj në familjen time. Unë e gatuaj pa pjekje, vetëm në tigan për disa minuta, shpejtë dhe lehtë për një antipastë të ngrohtë që kënaq gjithë familjen.
Përbërësit për 6 Persona
- 500 g karkaleca të pastruar
- 1-qepë e njomë
- 2-3 thelpinj hudhër
- 3-4 domate të mëdha të pjekura mirë
- 150g djath i bardhë Feta
- 5- lugë plot vaj ulliri
- kripë, piper i zi i bluar në moment,
- gjethe borziloku, rigon, spec djegës
Përgatitja
- Shpëlajini dhe pastroni karkalecat nga koka, guaska, bishti dhe vena e rërës. Nëse preferoni, për më tepër shije, disa nga karkalecat mund ti lini me kokë.
- Në një tigan të madh që nuk ngjit, shtoni pak vaj ulliri dhe shtoni karkaleca për 1-2 minuta në nxehtësi mesatare, duke i shijuar me erëza, me kripë dhe piper. Hiqni karkalecat e kaurdisur dhe lërini veçmas që ti ripërdorim më vonë.
- Në të njëjtin tigan, shtoni qepë dhe hudhër, të copëtuar imët.
- Përziejini për 2-3 minuta dhe shtoni domatet e prera në kubikë, të pastruara nga lëkura dhe farat.
- Lëreni domaten të gatuhet në nxehtësi mesatare për 10-12 minuta derisa të zbutet.
- Shtoni 2-3 lugë vaj ulliri, shtoni salcën e domates dhe lërini të gatuhen për disa minuta të tjera. Nëse salca bëhet shumë e trashë, mund të shtoni pak lëng perimesh ose thjesht ujë për të krijuar një salcë domate të butë dhe të lëngshme.
- Shtoni karkalecat e skuqur më parë në salcë dhe në nxehtësi të ulët gatuajini të gjithë së bashku për 10 minuta. Mos i lini të thahen por të kemi një salcë likuide.
- Shtoni djathin e thërrmuar Fetta dhe gatuajeni saganaky edhe për 3-4 minuta derisa djathi të shkrihet dhe japi shijen e tij. Shijojeni me rigon dhe erëza e tjera të listuara më lart, apo të preferuara për ju, dhe pjesën tjetër të vajit të ullirit.
- Transferojeni në një pjatë të nxehtë dhe shërbejeni Saganaki të ngrohtë. Konsumoni me bukë të thekur.
Ju gjithashtu mund ta konsumoni këtë pjatë si një salcë makarona ose një antipastë të nxehtë.
Ju Bëftë Mirë!
Këshilla
Kjo recetë gatuhet në mënyra të ndryshme, mund ta bëni vetëm me domate, ose vetëm me salcë.
Ju mund të përdorni çdo lloj karkalecash që keni për këtë recetë.
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.