Kjo recetë e Levrekut në Kripë është shumë e shijshme dhe shumë e thjeshtë për tu realizuar. Kjo është mbi të gjitha një mënyrë shumë e shëndetshme e gatimit të peshkut, pa qenë nevoja të përdorim yndyrë të shtuar, apo përbërës të tjerë. Do të shijojmë peshkun e freskët në shijen e vet, duke marrë të gjitha vlerat ushqyese që peshku ofron për organizmin tonë.
Te gatuarit e peshkut mund të duket e vështirë për disa, por nuk është aspak ashtu. Me peshk mund të përgatisim pjata kryesore shumë të shijshme për gjithë familjen.
Shumë prej nesh konsiderojnë vështirësinë e gatimit të peshkut tek pastrimi i tij. Ju mund ti kërkoni fare mirë atij që jua shet peshkun që ta pastrojë peshkun për ju. Disa nga mënyrat që do tu sugjerojmë për gatimin e peshkut janë shumë të thjeshta dhe shumë të shijshme.
Peshku është një ushqim shumë i shëndetshëm dhe shumë i tretshëm për organizmin e njeriut, dhe mund të konsumohet në çdo moshë. Kur ne gjejmë në treg peshk të madh e gatuajmë ashtu si është, të pa prerë ose të prerë në fileto. Praktikojeni gatimin e peshkut të plotë edhe për drekat tuaja festive duke realizuar pjata shumë të bukura. Peshku gatuhet shpejt në krahasim me llojet e tjera të mishit apo shpendëve.
Përbërësit
- 1 peshk i madh levrek 600 gram
- 2 kg kripë e thrashë
- 1/2 gotë ujë
- Për servirje: Vaj ulliri, piper i zi dhe limon sipas dëshirës
Përgatitja
- Lahet peshku, duke e pastruar edhe nga luspat dhe thahet mirë me letër kuzhine. Nuk e presim peshkun, i hedhim vetem pak kripë në brendësi.
- Ndezim furrën në 200 gradë.
- Përgatisim kripën duke i shtuar lagështirë që ajo të forcohet në pjekje. Për këtë i hedhim ujë dhe e përziejmë mirë qe te marri e gjitha. Shikojeni vetë sasinë e ujit që do ju duhet në bazë të lagështirës që mund të ketë dhe vetë kripa. Mund të përdorim edhe verë të bardhë për lidhjen e kripës, apo dhe të bardha vezësh të bëra shkumë, por edhe me ujë kripa lidhet shumë mirë dhe krijon kore në pjekje duke e mbajtur peshkun të butë dhe plot shije. Marrim një tavë në masën e duhur dhe shtrojmë 1/3 e kripës në tavë, duke krijuar një shtresë 1,5 cm të lartë mbi të cilën do vendoset peshku. Ne kemi gatuar lëvrek, por ju mund të gatuani në të njëjtën mënyrë llojin e peshkut që keni. Llogarisni që siperfaqja e kripës të jetë më e madhe se peshku. Vendosim peshkun sipër kripës. Mund të shtoni në kripë edhe erëza nëse doni si rozmarinë, sherebel, trumëz, etj. Duhet që peshku të jetë i mbuluar mirë nga të gjitha anët nga kripa. Kështu që e mbulojmë edhe sipër me pjesën tjetër të ngelur të kripës dhe e pjekim në furrë të ngrohur më parë në 200 gradë për 30-40 minuta. Varet dhe nga furra që keni, por për pjekjen e peshkut do llogarisni 5 minuta kohë pjekje për çdo 100 g peshk.
- Kur të jetë pjekur e nxirni nga furra. Me ndihmën e një thike e thyejmë kripën dhe e heqim me kujdes. Ja heqim lekurën peshkut, e pastrojmë nga kockat dhe e servirim të ngrohtë, shoqëruar me një fije vaj ulliri të shtuar sipër , piper të zi të bluar në moment dhe limon sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga blogu ynë. Ndjehuni të lirë të lini komentet tuaja pasi ta provoni.