Rosemary Focaccia Bread Recipe-Focaccia Me Rozmarinë

Focaccia Me Rozmarinë është një recetë super e shijshme dhe e thjeshtë për tu përgatitur. Kjo është një lloj buke e sheshtë e kuzhinës Italiane, e ngjashme me picën. Ndryshimi mes tyre është se Focaccia duhet të kryejë të paktën dy kohë ardhje të brumit para pjekjes, ndryshe nga pica.

Besoj se ashtu si për brumin e pizës, edhe për fokaçen secili prej nesh krijon eksperiencat dhe përvetëson teknikat më të mira. Ajo që unë kam mësuar është se brumi më i mirë është ai që vjen ngadalë, pa përdorur sasi të larta të majasë.

Kështu fare mirë mund ta përgatisim brumin një ditë përpara, e lëmë të vijë në frigorifer gjithë natën dhe të nesërmen është gati për të vijuar me përgatitjen dhe pjekjen sipas dëshirës.
Ashtu si Focaccia me patate, apo ajo me domate dhe ullinj, foccacia me vaj ulliri, rozmarinë dhe kripë është super e shijshme për tu shërbyer si në momentin kur del nga furra apo edhe në ditën pasardhëse.

Kështu mjafton ta mbështillni në qese letre ashtu si dhe llojet e tjera të bukëve dhe ajo do rrije e butë dhe e shijshme edhe për ditën tjetër, për tu marrë në punë, piknik, etj. Kjo lloj buke është shoqëruese shume e mirë për pjatat tuaja, apo edhe për të përgatitur sanduiçë të ndryshëm.

Përbërësit

  • 480 g-500 g miell miell për piza ose 250 g miell Manitoba dhe 250 g miell 00
  • 4-5 g maja e thatë (1 lugë çaji rrafshët)
  • 2 lugë çaji sheqer
  • 10-12 g ose 1 lugë çaji plot kripë gjelle
  • 200 ml ujë
  • 150 ml qumësht
  • 50 ml vaj ulliri

Për sipërfaqen

  • Rozmarinë, kripë kokërr madhe, vaj ulliri

Përgatitja

Përgatitja e Brumit

  1. Do të sitim miellin dhe në një tas të thellë do e përziejmë me kripën.
  2. Do të ngrohim ujin dhe qumështin. Në një sasi prej 50 ml nga tretësira e ngrohtë do të tresim majanë dhe sheqerin.
  3. Në këtë fazë mund të vijojmë në dy mënyra.
    1. Mund të shtojmë tek majaja e tretur edhe 2-3 lugë miell dhe të përgatisim një brumë të butë, të cilin e lëmë për 20-30 minuta sa të dyfishojë volumin. Në këtë mënyrë aktivizohet maja por edhe e testojmë atë, se mund të ndodh që majaja nuk kryen proçesin e ardhjes si duhet.
    2. Mënyra tjetër është ta kapërcejmë këtë fazë, por të vijojmë dukë zënë brumin.
      Kështu pasi e kemi tretur majanë, do e shtojmë tek sasia e miellit dhe fillojmë zëmë brumin duke shtuar dhe qumështin bashkë me ujin pjesë-pjesë.
  4. Kur mielli të jetë lidhur i gjithi do fillojmë të shtojmë edhe vajin dhe do e punojmë brumin sa të kemi një brumë të butë, si veprojmë për picat.

Ardhja e Brumit dhe Pjekja

  1. Brumin e mbledhim top, do i bëjmë një prerje kryq në sipërfaqe, e mbulojmë tasin me celofon dhe e lëmë të vijë në brendësi të furrës së fikur por me dritë ndezur.
  2. Nëse do e gatuani Focaccia në të njëjtën ditë atëherë do e lëmë të vijë brumi si më lart shpjegova për të paktën dy orë, ose sa të dyfishojë volumin. Në të kundërt e lëmë brumin të vijë në frigorifer për gjithë natën.
  3. Rreth një orë përpara pjekjes, do të lyejmë me vaj ulliri tavën ku do e pjekim dhe do të hapim brumin me duart të lyera me vaj si veprojmë edhe me kulaçin në të gjithë sipërfaqen e tavës.
  4. Në sipërfaqe të brumit hedhim kripë kokërrmadhe, gjethe rozmarine të thatë ose të njomë dhe vaj ulliri.
  5. Do e mbulojmë tavën me qese celofoni dhe e vendosim sërish të vijë për 30 minuta në furrë të ngrohur në 35-40 gradë, të fikur dhe me dritë ndezur.
  6. Kur shohim që brumi ka ardhur sërish, do të ndezim furrën të nxehet në 180 gradë ose në programin që furra juaj ka për pjekjen e picave dhe focaccia.
  7. Do e pjekim për 35-40 minuta. Nëse do zgjidhni një program me temperaturë më të lartë, koha e pjekjes do jetë 20-25 minuta. Shikojeni kur Focaccia merr një ngjyrë të bukur të kuqerremtë në sipërfaqe.Rosemary Focaccia Bread Recipe-Family Cooking Recipes
  8. E nxjerrim tavën nga furra, e lëmë të ftohet për pak minuta dhe e presim në copa sipas dëshirës.

Ju Bëftë Mirë!Rosemary Focaccia Bread Recipe-Family Cooking Recipes

Në Përmbyllje

Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.

Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”

 

Leave a Comment