Fileto e pulës është një nga pjesët e pulës që mund të gatuhet në qindra mënyra. Kjo recetë e Roles Me Fileto Pule është një kombinim i shijshëm i proteinave të mishit dhe bulmetit. Mishi i bardhë i pulës nuk ka shumë yndyrë dhe ne mund ti shtojmë shije si të dëshirojmë. Në recetën e sotme gjoksi i pulës do kombinohet me proshutë dhe djath, dhe do ta shoqërojmë me brokoli të zierë. Kjo është një mënyrë e thjeshtë që nuk kërkon shumë kohë, gatuhet shpejt në tigan, të shijon shumë dhe është e shëndetshme. Ju mund ta shoqëroni me çfarë të dëshironi, me patate ose pilaf, ose dhe vetëm me një sallatë të stinës.
Përbërësit
- 2 gjoks pule
- Kripë,piper i zi, rozmarinë, vaj ulliri
- 1/2 gotë verë e bardhë
- 4 feta proshutë pule
- 4 feta djath guda
- 1 brokoli .
- Disa feta limon
Përgatitja
- Nisim me prerjen e gjoksit të pulës në feta duke e ndarë në fillim mishin nga kocka me anë të një thike të mprehtë inoksi dhe pastaj e presim në mënyrë tërthore, sa me hollë. Ju mund ti merrni filetot e pulës të prera dhe gati vetëm për ti gatuar. E rrahim lehtë me një rrahëse mishi dhe i marinojmë me kripë e piper.
- Vendosim sipër proshutën dhe djathin dhe i mbështjellim role.
- Në një tigan hedhim pak vaj ulliri dhe 1 degë rozmarine dhe e vendosim në zjarr të mesëm.
- Vendosim rolet kur të jetë nxehur vaji dhe i rrotullojmë me kujdes nga të gjitha anët për 4-5 minuta.
- I hedhim kripë e piper dhe i shuajmë me verën e bardhë. I lëmë të avullojë alkoolin dhe e mbulojmë me kapak.
- E gatuajmë për rreth 10 minuta në zjarr të ulët, sa të marrin ngjyrë të artë. Nqs ju mendoni se mishi është i fortë atëherë shtoni nje gjysëm gote ujë që të gatuhet tamam.
- Djathi i shkrirë dhe lëngu i lëshuar nga gatimi do të formojnë një salcë që do të shoqërojë mishin tuaj.
- Veçmas, në një enë tjetër, zjeni brokolin e copëtuar në ujë me kripë për 3-4 minuta. Marinojeni me vaj, kripë e limon. Priteni rolenë në copa rrethore dhe shërbejeni të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vijoni të ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini komentet tuaja në formën më poshtë nëse e provoni recetën.