Torta Raffaello është një nga tortat më të shijshme, e njëjtë më shijen e çokollatës Raffaello do të ëmbëlsojë vaktet tuaja në raste festash, ditëlindje, ditë të vëçanta, etj.
Kombinimi i përbërësve të njëjtë si çokollata Raffaello e bën këtë tortë një kënaqësi më vete për të gjithë ata që e duan dhe preferojnë këtë lloj çokollate, plot shije dhe aromë të arrës së kokosit, çokollatës së bardhë, miellit të bajames, dhe qumështit të kondesuar.
Shija e veçantë nuk qëndron vetëm tek kremi mbushës i tortës por edhe tek pandispanja e cila përgatitet me të njëjtët përbërës dhe rezulton shumë e shkrifët, e butë, dhe plot aromë.
Unë e kam përgatitur këtë tortë për ditën e Shën Valentinit, por ju mund ta përgatisni për kënaqësinë tuaj kur të dëshironi.
Përbërësit për një tavë 18-20 cm
Për pandispanjën
- 90 g miell kokosi
- 90 g miell bajame
- 90 g miell për ëmbëlsira
- ½ pako fryrës për ëmbëlsira
- 4 vezë
- 55 ml qumësht kokosi
- 100 g sheqer pluhur
- 180 g gjalp temperaturë ambienti
- 2 lugë sheqer
Për shurupin me të cilin do zbusim pandispanjën
- 50 g qumësht i kondesuar
- 50 ml qumësht kokosi
Për kremin Raffaello
- 250 g ajkë qumështi
- 160 g qumësht i kondesuar
- 80 g çokollatë e bardhë
- 100 g pana që rrihet
Për dekor
- Arrë kokosi
- Çokollata Rafaello
- Çokollatë e bardhë
Përgatitja
Përgatitja e Kekut
- Do të përziejmë të tre llojet e miellit, do i kalojmë në një grirëse kuzhine për ti grirë sa më imët, dhe do i sitim për të pasur një përzierjë sa më të imët për kekun tonë. Shtojmë dhe fryrësin, i përziejmë bashkë dhe i lëmë veçmas.
- Do i ndajmë të verdhat e vezëve veçmas nga të bardhat në enë të ndryshme.
- Në një tas qelqi të thellë, shtojmë gjalpin në copa të zbutur në temperaturë ambienti dhe e rrahim me një rrahëse dore elektrike për 2-3 minuta sa të na bëhet nje krem.
- Do të shtojmë sheqerin pluhur dhe trazojmë sërish edhe për 1-2 minuta në shpejtësi maksimale.
- Do të shtojmë miellin pjesë-pjesë dhe vazhdojmë përziejmë.
- Shtojmë të verdhat e vezëve një nga një, ku e verdha e dytë shtohet pasi përthithet e para.
- Shtojmë edhe qumështin dhe përziejmë mirë në fillim me rrahësen elektrike dhe pastaj përziejmë me spatul.
- Do të rrahim edhe të bardhat e vezëve marengë të qëndrueshme në shpejtësi maksimale. Shtojmë sheqerin të ndarë në dy pjesë gjatë rrahjes dhe në minutën e fundit i rrahim në shpejtësi minimale që të dali ajri që mund të jënë brenda tyre.
- Do i shtojmë te brumi i mëparshëm pjesë-pjesë duke i përzierë lehtë me spatul dhe të gjithë masën do e shtojmë në tavë të veshur me letër furre.
- E pjekim në furrë të parangrohur në 180 gradë për 40 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh.
- E nxjerrim nga furra, e heqim nga tava dhe e lëmë të ftohet plotësisht përpara se ta presim dhe të montojmë tortën tonë. Ju mund të zgjidhni dhe ta piqni brumin në dy tava të njëjta që të shmangni proçesin e prerjes.
Përgatitja e Shurupit
- Përgatitja e shurupit është shumë e thjeshtë, në një tas do të përziejmë mirë të dy përbërësit sa të bëhen një masë e njëjtë. Me të do të lyejmë pjesët e kekut të tortës gjatë montimit të saj.
Përgatitja e Kremit
- Do të rrahim ajkën e qumështit me rrahës elektrik. Ju mund të përdorni edhe gjalp në vend të saj.
- Shtojmë qumështin panda dhe përziejmë sërish me rrahës elektrik.
- Shtojmë çokollatën e bardhë të shkrirë në banjo mari dhe përziejmë sërish.
- Do të rrahim edhe panën veçmas sa të bëhet një krem i qëndrueshëm dhe e shtojmë pjesë-pjesë të kremi i krijuar. Kremi është gati për montimin e tortës.
Montimi Tortës
- Do të presim kekun (pandispanjën) e përgatitur në dy pjesë, duke hequr dhe kupolën e kekut lehtë në mënyrë që shtresat të jenë të niveluara njësoj.
- Vendosim në një pjatë shtresën e parë dhe me një furçë kuzhine do e lyejmë me shurupin e qumështit të kondesuar. Shtojmë një pjesë të kremit duke niveluar mirë.
- Vendosim shtresën e dytë, e njomim sërish me shurupin e përgatitur dhe e mbulojmë të gjithë sipërfaqen dhe anësoret e tortës me kremin e përgatitur duke niveluar mirë si anëve ashtu edhe në sipërfaqe. Do të veshim muret dhe sipërfaqen me arrë kokosi të thatë ose dhe të njomë të grirë që mund tu ketë tepruar nga përgatitja e qumështit të kokosit.
- E vendosim në frigorifer të qëndrojë disa orë përpara se ta sevirim dhe e dekorojmë më çokollata raffaello, si dhe çokollatë të bardhë të grirë, apo në forma që ju dëshironi, qoftë si lule, toptha, apo edhe zemër.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni, suportoni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëprirur të lini komenteta, apo pyetjet tuaja si dhe të ndani këtë recetë me miqtë tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.