Sot duam ta sjellim lepurin të gatuar në një tjetër mënyrë për ju. Lepur Me Kërpudha Dhe Pure Patatesh është një pjatë e dytë vjeshte për të gjithë ata që pëlqejnë mishin e lepurit. Një kombinim shumë i shijshëm me kërpudhat, për një shije delikate, ndryshe dhe mbi të gjitha plot vlera ushqyese. Tani është koha që mund të gjeni kërpudha të freskëta qoftë të kultivuara, qoftë edhe ti mblidhni vetë, nëse jeni njohës të tyre dhe adhurues të natyrës. Ju ftojmë ta provoni këtë recetë të thjeshtë për një drekë apo darkë në familje apo nëse doni të surprizoni miqtë tuaj.
Ju gjithashtu mund të lexoni Lepur Çomlek
Përbërësit
- 1 lepur i plotë
- 300 g kërpudha shampinjon
- 5 pomodorini
- 10 -15 kokrra ullinj
- 2 thelp hudhër
- Vaj ulliri, kripë, piper i zi, dafinë, trumëz,rozmarinë dhe majdanoz i freskët.
- 1 gotë verë e bardhë
Për purenë
- 3 patate mesatare
- 50 g gjalp
- 1 gotë qumësht
Përgatitja
- Presim lepurin në copa, e lajmë dhe e kullojmë nga uji. Do të përgatisim të gjithë përbërësit e tjerë. Kështu grijmë imët hudhrën. Do të pastrojmë ullinjtë nga bërthama. Do të pastojmë kërpudhat nga cipa e sipërme dhe këmbët nga dherat dhe do i presim në feta të holla. Do shpëlajmë domatet dhe i presim në mes.
- Në një tigan të thellë hedhim vaj ulliri, hudhrën e prerë hollë, rozmarinë dhe gjethe dafine dhe e lëmë të ngrohet pak sa të aromatizohet vaji.
- Shtojmë copat e lepurit dhe i rrotullojmë me kujdes nga të gjitha anët. Do ta gatuajmë lepurin për 15 minuta në zjarr të ulët. Shtojmë kripë e piper të zi të bluar në moment.
- Pasi të kalojë koha e shuajmë me verën dhe e lëmë që alkoli të avullojë në temperaturë të lartë.
- Shtojmë domatet e vogla të prera në mes dhe ullinjtë e pastruar nga bërthama. Shtojmë edhe kërpudhat e pastruara dhe të prera në copa jo të holla.
- Do të shtojmë edhe ujë dhe do ta gatuajmë mishin e lepurit për rreth 30 minuta në temperaturë jo shumë të lartë. Lepuri që unë përdora është një lepur i butë dhe gatuhet shpejt. Nëse do të përdorni lepur të egër do të duhet pak më tepër kohë për gatimin, do e shikoni vetë, duke e kontrolluar herë pas here me pirun dhe duke shtuar ujë të ngrohtë nëse do ketë nevojë. Nga fundi do të shtojmë edhe trumzën e majdanoz të freskët të grirë. Do të shohim nëse mishi do të jetë i butë me anë të një piruni. Ju mund ta servirni mishin me salcën e vet ose të shoqëruar me ndonjë sallatë të stinës.
Unë po ju sugjeroj ta servirni me pure patatesh. - Për përgatitjen e puresë do të pastrojmë patatet dhe do i presim në kubik të mëdhenj. Në një tenxhere me ujë që vlon dhe pak kripë do ti zjejmë patatet për 10 minuta, ose derisa të zbuten, duke i kontrolluar me një pirun. I kullojmë dhe i shtypim me shtypëse patatesh ose me një mixer. Do e shtojmë masën e përftuar nga shtypja përsëri në tenxhere dhe shtojmë qumështin e gjalpin. I përziejmë të gjitha bashkë për 2-3 minuta derisa do të na krijohet një masë e plotë kremoze dhe jo e hollë. E rregullojmë purenë me kripë. Mund të shtoni edhe piper dhe arrë moskat sipas dëshirës. Pureja është një gatim i shëndetshëm që pëlqehet nga të gjithë dhe e shoqëron shumë mirë mishin e lepurit. Servireni të ngrohtë .
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që ndaluat tek kjo recetë, ju ftojmë ta ndani me miqtë tuaj dhe ta provoni ta gatuani në familje. Jeni të mirëpritur për çdo pyetje apo koment. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.