Byrek Me Patate Dhe Djath është një recetë që do ju pëlqejë të gjithëve. Në fakt përdorimi i patates në mbushjen e byrekut njihet më tepër në vendet e Afrikës Veriore, Turqi, vendet Arabe, etj.
Vitet e fundit, edhe në vendin tonë, patatja preferohet të gatuhet edhe në byrekë, pite, bukë, etj.
Mbushja me patate mund të gatuhet duke kombinuar pataten e gatuar ose jo, me qepë, djathra, dhe erëza të ndryshme.
Unë sot e kam sjellë byrekun të mbushur me patate dhe djath të bardhë dhie, i cili përkon më tepër me shijet në familjen tonë.
Ju mund të zgjidhni këtë mbushje apo të ekserimentoni edhe djathra apo erëza të tjera, por ju siguroj se do ju pëlqejë pa masë.
Edhe për fëmijët e vegjël është i shëndetshëm, njësoj si në rastin e byrekut me qumësht, apo të byrekut me gjizë e me kos.
Përbërësit
Për brumin dhe petët
- 350 ml ujë i ngrohtë
- 1 lugë çaji kripë
- 500-550 g miell për byrek (aq sa do ju duhet për të zënë një brum të butë)
- 60 ml vaj i shkrirë dhe 60 ml vaj ulliri për hapjen e petëve
- 1 e verdhë veze per lyerjen e byrekut në sipërfaqe
Për mbushjen
- 400-450 g patate të ziera
- 100 g djath i bardhë
- 1 vezë (fakultative)
- Kripë, piper, rigon, kopër ose majdanoz i freskët
- 2-3 lugë vaj ulliri
Përgatitja
Zënia e Brumit
Si fillim do të përgatisim brumin. Ky byrek gatuhet shumë kollaj pasi do e përgatisim vetëm me dy kuleçë, pra me dy petë, të cilat më pas për nga mënyra e përgatitjes do të veçohen gjatë pjekjes.
- Në një tas, do të shtojmë ujin e ngrohtë dhe pak kripë. E përziejmë kripën të tretet dhe fillojmë shtojmë miellin gradualisht derisa të na formohet një brumë i butë.
- Ju mund të pakësoni apo shtoni sasinë e ujit dhe të miellit në varësi të tavës që do përdorni. Gjithmonë fillojeni nga uji dhe shtoni gradualisht miellin sa të bëhët brumi si duhet.
- Do ta punojmë brumin mirë për disa minuta, sa të shohim që është elastik dhe do e ndajmë në dy pjesë të barabarta.
- E mbulojmë me një pecetë të pastër dhe do e lëmë brumin të pushojë për 20-30 minuta.
Ndërkohë do përgatisim mbushjen.
Mbushja e Byrekut
- Kemi vendosur patatet të ziejnë më gjithë lëkurë, dhe pasi ftohen pak i pastrojmë nga lëkura dhe i kalojmë në një shtypëse pureje. Ju mund ti copëtoni imët patatet edhe me thikë, por unë zgjodha kështu në mënyrë që të krijohet një mbushje me kremoze për byrekun.
- I shtojmë patatet në një tas dhe shtojmë aty vezën, djathin e thërrmuar imët me duar, erëzat, kripë, piper, dhe vaj ullir. I përziejmë të gjitha dhe e lëmë mënjanë. Vijojmë me hapjen e petëve.
Hapja e Petëve
- Marrim secilin kulaç, e pudrosim me miell poshtë dhe lart si veprojmë zakonisht kur hapim petë.
- Do e hapim sa të mundemi në formë të rrumbullakët, pra me diametër 2-3 pëllëmbë.
- Do ta lyejmë petën në sipërfaqe me përzierjen e gjalpit me vajin e ullirit.
- Do e lyejmë mirë në gjithë sipërfaqen dhe duke e ndarë me sy në tre pjesë të barabarta, palosim njëherë në njërin krah në 2/3 e saj dhe e lyejmë sërish me yndyrë pjesën e palosur.
- Tërhiqini cepat kur e palosim duke u munduar ti japim një formë drejtëkëndëshi palosjes.
- Palosim edhe pjesën tjetër. Na formohet një drejtkëndësh i gjatë, e lyejmë sërish me yndyrë pjesën e palyer të palosur.
- Këtë drejtkëndësh do e palosim dy herë, si një libër, duke përfunduar në një katror. Sa hërë palosim lyejmë me yndyrën e përgatitur. Kjo bëhet që kur të piqen petët të veçohen.
- Do i mbulojmë petët e lyera me yndyrë dhe do i lëmë të pushojnë për 20 minuta si veprojmë edhe në rastin kur hapim petët me dorë te receta e dredhanikut apo byrekut me spinaq.
Shtrimi i Byrekut dhe Pjekja
- Kur kalon koha, përgatisim tavën duke e lyer me pak vaj.
- Marrim njërën nga katrorët dhe pjesërisht të ndihmuar ngë ruli dhe pjesërisht duke tërhequr me duar do hapim petën sa është baza e fundit të tavës.
- Mundohemi ta ngremë petën 1-2 gisht dhe anëve në mënyrë që ta palosim më pas.
- Hedhim mbushjen e përgatitur dhe e hapim njëtrajtësisht në gjithë sipërfaqen.
- Hapim edhe petën e dytë po njësoj dhe e vendosim sipër mbushjes.
- Do të mbyllim mirë anët, e presim byrekun sipas dëshirës, dhe e lyejmë me një të verdhë veze. E spërkasim edhe me yndyrën që na ka tepruar.
- E vendosim byrekun të piqet në furrë të parangrohur, në 220 gradë për 15 minuta dhe më pas edhe 15 minuta të tjera në 180 gradë sa byreku të marri ngjyrë të kuqërremtë dhe petët të veçohen.
- E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet pak dhe e servirim në copa të ngrohtë ose në temperaturë ambienti shoqëruar me një sallatë dhe supë të stinës.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”