Preshi është pjesë e menuve dhe dietave ushqimore dimërore, një zarzavat i stinës me shije dhe përqasje të veçantë nga qepa apo hudhra, dhe që shijon më së miri në çdo recetë që përgatisim me të. Sot duam të sjellim Presh Në Furrë Me Beshamelë, e cila është një recetë shumë e shpejtë dhe e shijshme vegjetariane.
Preshi në furrë mund të përgatitet në disa mënyra, duke u pjekur si çdo zarzavat tjetër i marinuar me kripë, erëza dhe vaj ulliri dhe konsumuar si një pjatë shoqëruese, apo i kombinuar me mish të grirë apo mish të prerë në copa për një pjatë të dytë shumë të shijshme.
Receta e sotme përgatitet nga pak përbërës që të gjithë i kemi në shtëpi apo kemi mundësi ti përgatisim. Beshamela i jep shume shije preshit si në këtë recetë, ashtu dhe duke e shtuar në receta të tjera furre kur përdorim edhe mishin e grirë. Kjo pjatë shërbehet e ngrohtë si një shoqëruese ose pjatë kryesore vegjetariane.
Përbërësit
- 4 presh
- 2-3 lugë gjizë, ose djath i bardhë i thërrmuar
- 350-400 ml beshamel
- Kripë, piper, vaj ulliri
- 1 e verdhë veze
- 2-3 lugë djath i grirë
Përgatitja
- Do i lajmë preshët mirë dhe i presim në feta të holla, duke eleminuar pjesët shumë të forta.
- Në një tenxhere ose tigan që nuk ngjit, me 2-3 lugë vaj ulliri do të kaurdisim preshët me kapak mbuluar në lëngun vete derisa të zbuten.
- Ndërkohë në një tigan tjetër përgatisim beshamelën, duke kaurdisur gjalpin me miellin derisa mielli të zverdhet dhe shtojmë qumështin duke përzierë që të mos na kokërrizohet. E gatuajmë në zjarr të ulët derisa salsa të formohet, shtojmë kripë, pipër, e lëmë të gatuhet edhe pak, dhe në fund do të shtojmë të verdhën e vezës. Lexoni recetën e plotë të përgatitjes së beshamelës.
- Në një tavë do të shtojmë gjysmën e preshit, gjizën ose djathin e bardhë, një pjesë të beshamelës, shtojmë dhe pjesën tjetër të preshit dhe e mbulojmë me beshamelë dhe djathin e grirë.
- E pjekim në furrë të parangrohur në 200 gradë për 20 minuta derisa të marri ngjyrën e kuqërremtë.
- E shërbejmë të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment ose pyetje mbi recetën, apo të ndani atë me miqtë tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.