Oktapod në salcë është një recetë shumë e shijshme deti. Mund ta gatuani vetëm me oktapod dhe domate, por edhe mund ta ndërthurni duke shtuar fruta të tjera deti si kallamarët në rastin tim.
Unë për këtë recetë zgjodha oktapodë të vegjël, pasi gatuhen më shpejt. Nëse do të keni një oktapod të madh do e zieni veçmas me dafinë dhe karrotë, sipas mënyrës së shpjeguar në recetën e sallatës me Oktapod.
Këtë recetë mund ta shijoni me pak bukë të thekur, të përgatisni brusketa me të, apo të shijoni makaronat tuaja me këtë salcë shumë të shijshme.
Provoni edhe sallatë pikante me oktapod, apo sallatë me oktapod dhe patate.
Përbërësit
- 3-4 oktapodë të vegjël ose një i madh
- 2 kallamarë
- ½ gotë verë e bardhë
- 3-4 domate të pjekura
- 300 ml pure domate
- 1-2 thelpinj hudhër
- 1-2 gjethe dafine
- Kripë, piper, vaj ulliri, majdanoz i freskët
Përgatitja
- Do të patrojmë oktapodin/ oktapodët mirë. Po kështu edhe kallamarët dhe do i presim të gjitha në copa.
- Në një tigan, do të shtojmë vaj ulliri dhe thelpinjtë e hudhrës. Shtojmë edhe gjethet e dafinës dhe këmbët e majdanozit të prera imët të kaurdisen dhe aromatizojnë vajin.
- Sapo vaji ngrohet pak do të shtojmë oktapodin dhe kallamarët e prerë.
- Do i kaurdisim mirë dhe pas disa minutash i shuajmë me verën e bardhë. Ndërkohë që avullon pjesa alkolike do të shtojmë domaten e grirë me renden pa lëkurë.
- Shtojmë kripë dhe piper dhe lëmë që domatja të gatuhet bashkë me oktapodin.
- Kur shohim që domatja fillon të kthehet në një salcë, do të shtojmë edhe purenë e domates, sërish kripë, piper, nëse ka nevojë, vaj ulliri, pak ujë dhe do e lëmë të gatuhen në nxehtësi mesatare në të ulët derisa oktapodi bashkë me kallamarin të ngelen në një salcë të lidhur mirë dhe jo shumë likuide.
- Do të shtojmë në fund majdanoz të freskët dhe receta jonë është gati të shërbehet ashtu si është e servirur në një pjatancë në një tavolinë familjare me prodhime deti. Ju sugjeroj të përgatisni brusketa me të apo ta shijoni me bukë të thekur pasi është super e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.