Gatimet me produkte deti nuk duhet të mungojnë në asnjë stinë, ndaj sa herë gjejmë produkte deti të freskëta duhet ti konsumojmë të gatuara sipas mënyrës që dëshirojmë. Sot duam të ndajmë
Sallatë Me Oktapod Dhe Patate, një mënyrë ndryshe për të shijuar oktapodin, por që kombinuar me pataten kthehet në një pjatë të parë apo antipastë shumë të shijshme për vaktet tona të vjeshtës.
Ju mund të lexoni edhe Sallatë Me Oktapod
Përbërësit
- 1 oktapod 1.2 kg
- 1 karrotë
- 2 domate të vogla
- 150 ml uthull e bardhë
- majdanoz
- kripë
- 3 patate mesatare
Për marinimin e sallatës
- Kripë, majdanoz, piper i zi, limon, vaj ulliri
Përgatitja
- Lajmë oktapodin dhe e pastrojmë duke i hequr pjesën e gojës, të syve dhe i zbrazim pjesën e kokës.
- Vendosim një tenxhere me ujë të ziejë dhe kur të vlojë e fusim oktapodin duke e zhytur dhe duke e nxjerrë disa here nga uji në mënyrë që ti përdridhen tentakulat. Shtojmë edhe erëzat perimet dhe kripën. Shtojmë edhe uthullën e bardhë dhe e lëmë të ziejë për rreth 45 minuta deri 1 orë. E kontrollojmë me anë të një piruni dhe duhet të rezultojë i butë. E fikim sobën dhe e lëmë oktapodin të ftohet në lëngun e vet. E nxjerrim nga tenxherja dhe e kemi gati për ta përdorur në recetat që duam. Sot do e përdorim në këtë recetë sallate, por mund ta përdorni fare mirë në shumë receta të tjera.
- E presim oktapodin në copa të vogla dhe e fusim në një tas qelqi.
- Ndërkohë i ziejmë patatet e lara dhe të pa qëruara në një tenxhere me ujë të ftohtë dhe pak kripë. Duhet të ziejnë për rreth 30 minuta, por ju provojini me një pirun.
- I lëmë patatet të ftohen dhe i presim në feta ose në kubik. Shtojmë dhe patatet te oktapodi dhe i marinojmë me kripë, piper të zi, majdanoz të grirë dhe lëng limoni. Mund të përdorni edhe erëza të tjera nqs se dëshironi. Kjo sallatë mund të shërbehet e vakët ose e ftohtë.
Ju Bëftë Mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe suportoni duke ndarë dhe provuar recetat tona. Jeni të mirëpritur të komentoni në formën më poshtë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.