Muffins Me Banane Dhe Nutella është një recetë e shpejtë për të ëmbëlsuar mëngjeset apo pasditet tuaja. Këto muffins janë kekë të vegjël të butë bananeje me zemër krem lajthish.
Receta është e lehtë për tu përgatitur, në pak minuta bëhet gati brumi për pjekje dhe në më pak se 30 minuta do i shijoni këta kek të vegjël.
Këta kek të vegjël gatuhen me pak përbërës, të cilët i kemi gjithmonë në shtëpi.
Ju mund të provoni edhe muffins apo kek të tjerë me banane duke ekploruar Blogun tonë.
Bananja kombinon më së miri edhe me frutat e tjera. Kështu mund të provoni, Kek me banane dhe luleshtrydhe, kek me banane dhe qershi, kek me banane dhe çokollatë, kek me banane dhe mollë.
Përbërësit
- 2 vezë
- 1/2 gotë uji sheqer
- 50 ml vaj misri
- 2 banane të vogla
- Pak kanellë
- 1 gotë e 1/2 miell
- 1/2 pako fryrës
- krem lajthish Nutella
Përgatitja
- Do të rrahim vezët me sheqerin sa të bëhen shkumë dhe shtojnë volumin.
- Vijojmë gatimin duke shtuar vajin dhe në të njëjtën kohë vazhdojmë përzierjen.
- Shtojmë bananet e shtypura me një pirun dhe gjysëm luge kanellë pluhur.
- Sapo të jenë përzierë mirë, shtojmë miellin, fryrësin e ëmbëlsirave dhe e përziejmë masën me kujdes.
- Brumin e përftuar do ta shpërndajmë në forma për pjekjen e muffins të veshur me letrat përkatëse. Masa e brumit të përgatitur është për 12 muffins.
- Do të hedhim një lugë gjelle brum, pastaj një lugë çaji nutella dhe përsëri e mbulojmë kremin e lajthive me brum.
- Llogarisim të mos mbushet plot forma e pjekjes, por 3/4 e masës sepse brumi do të fryhet.
- I pjekim muffins në furrë të nxehur më parë në 180 gradë për 20-22 minuta. Provojini me një kunj dhëmbësh.
- Kur muffins janë gati, do i lëmë të ftohen pak, i nxjerrim nga format, i transferojmë në një pjatë servirjeje dhe i shërbejmë sipas dëshirës.
Ju Bëftë Mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.