Kjo është një pjatë shumë e shijshme deti, me shije delikate për tu shijuar në një drekë në familje. Si gjithë pastat, edhe kjo është një pjatë e thjeshtë për tu përgatitur. Ne vazhdimisht ju kemi sjellë ide dhe receta për të gatuar makaronat apo rizotot me produkte deti, si gatimet me karkaleca, midhje, oktapod, kallamar, etj, dhe kjo është një pjatë që duhet ta provoni patjetër, plot shije dhe ngjyra për tu gatuar dhe shijuar edhe për festa. Gjinkalla e detit është një lloj arragoste që jeton më së shumti në Detin Mesdhe dhe në Atlantikun Lindor dhe në emrin shkencor njihet Scyllarus arctus (Cicala di mare).
Përbërësit
- 500 g linguine
- 1 gjinkallë deti
- 200-300 g domate të vogla qershi
- Vaj ulliri
- 1/2 gotë verë e bardhë
- Hudhër, spec djegës, kripë e piper , majdanoz , borzilok.
Përgatitja
- E lajmë gjinkallën e detit mirë dhe e ndajmë në dy pjesë. E gatuajmë me gjithë pjesën e fortë që e mbështjellë në një tigan ku kemi shtuar vaj ulliri, hudhër dhe spec djegës. Në fillim e vendosim nga pjesa e mishit për 2 minuta dhe pastaj e kthejmë nga pjesa e fortë e guaskës.
- E shuajmë me verë të bardhë dhe do të lëmë të avullojë pjesa alkolike në temperaturë të lartë dhe më pas e mbulojmë me kapak të gatuhet për 3 minuta.
- Ndërkohë presim domatet e vogla në gjysëm dhe i shtojmë në tiganin e salcës. Vazhdojmë gatimin dhe shohim që për disa minuta do të na formohet një salcë perfekte për makaronat tona.
- E rregullojmë shijen me kripë e piper dhe erëzat e freskëta.
- Ndërkohë në një tenxhere makaronash kemi vendosur ujin që të zjejë. Në momentin që vlon shtojmë kripë dhe linguine të ziejnë al dente. I kullojmë pas zierjes dhe i shtojmë te salca.
- E kemi hequr gjinkallën veç sa të bëjmë përzierjen e tyre. Nëse dëshironi, ju në momentin e fundit mund ta hiqni mishin e saj dhe ta shtoni në salcë. Unë e lashë të gjithën për efekt pamje. I përziejmë makaronat dhe shtojmë edhe pak nga uji i zjerjes.
I shërbejmë të ngrohta menjëherë me nje fije vaj ulliri sipër dhe borzilok.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të ndani recetën apo të lini pyetjet dhe komentet tuaja. Ne vlerësojmë mendimin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.