Kadaif i Mbështjellë, Ose Role Kadaifi Me Petë Bakllavaje siç e njohim ndryshe është një ëmbëlsirë me sherbet. Kjo recetë përgatitet lehtë, shpejt, dhe jua rekomandoj në çdo stinë, për festa, apo qoftë edhe për fundjava në familje.
Kjo është një ëmbëlsirë fantastike që të shijon shumë. Në një recetë të vetme shijojmë edhe bakllava, edhe kadaif.
Për gatimin e saj përdora petë të ngrira bakllavaje si dhe kadaif të ngrirë, i cili doli shumë i shijshëm.
Ndiqni hapat më poshtë dhe fare lehtë do përgatisni një ëmbëlsirë shumë të shijshme për gjithë familjen.
Ju mund te provoni edhe Kadaif Me Arra, apo Kadaif Me Arre Kokosi
Përbërësit
- 1 pako petë bakllavaje
- 500 g kadaif
- 300 g arra
- 300 g gjalp
- 1 kg sheqer
- 750 ml ujë
- Limon
Përgatitja
- Për ta përgatitur këtë recetë duhet që ti lëmë petët të shkrijnë më parë. Si citova më lart kam përdorur petë dhe kadaif të ngrirë, por ju mund ta gatuani fare mirë edhe me kadaif të freskët apo petë të holluara vetë.
- Pastrojmë arrat ndërkohë dhe do ti grijmë trashë. Do të shkrijmë edhe gjalpin, e kullojmë dhe e lëmë të ftohet.
- Do të marrim petët e shkrira një nga një dhe secilën petë do e lyejme me pak gjalp me ndihmën e një furçe kuzhine.
- Petën e lyer me gjalp e palosim me dysh dhe sipër i vendosim kadaif të shpërndarë mirë në një shtresë të hollë.
- Hedhim arrat dhe e spërkatim me gjalpin e shkrirë.
- E mbështjellim role, i presim pak anët të cilat mund të mbeten bosh dhe e sistemojmë në tavë të lyer me gjalp. Nqs keni një tavë që nuk i shkon fiks gjatësia e petës, atëherë mund ti prisni role petët që pa i vendosur në tavë dhe i sistemoni vetë, sipas formës së tavës.
- Kështu vazhdojmë me radhë sa të mbarojmë të gjithë sasinë e kadaifit. Nëse ju teprojnë petë, mund ti përdorni për një tjetër ëmbëlsirë.
- I presim roletë në madhësinë që duam dhe i hedhim sipër gjalpin e mbetur.
Pjekja dhe Sherbetosja
- Ndërkohë ndezim furrën në 180 gradë dhe e pjekim kadaifin për 35 minuta. Pastaj e ulim nxehtësinë në 150 dhe e lëmë edhe 15-20 minuta të tjera. Duhet të thahet në mënyrë që të mos qulloset kur ta sherbetosim.
- E heqim kadaifin e pjekur nga furra dhe e lëmë të ftohet.
- Ndërkohë bëjmë sherbetim duke hedhur në një tenxhere sheqerin, ujin dhe lëkurë limoni. E lëmë të marri vlim për 2-3 minuta dhe e heqim nga zjarri. I hedhim një lugë lëng limoni brenda që të mos sheqeroset.
- E lëmë të ftohet pak për 10 minuta dhe ja hedhim sipër kadaifit.
- E lëmë të zbutet për gjysëm dite dhe e shërbejmë sipas dëshirës. Në keto ditë të nxehta vere me ndonje lugë akullore shijon super.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.