Supat janë pjata të para të cilat duhet të jenë të përditshme në tavolinat tona. Larmia e tyre si në mënyrat e gatimit ashtu dhe përbërësit që përdorim janë të shumta. Sot dëshirojmë të ndalemi në përgatitjen e Supës me Lëng Kockash.
Besoj e dini që kockat janë të pasura me vitamina dhe kripëra minerale të shumta, ndaj dhe përdorimi i tyre në gatime rekomandohet si tepër i shëndetshëm. Kockat dhe palca e kockave janë të pasura në proteina (12 g/100 gram palc), vitamina B12, A, E, duke siguruar një pjesë të konsiderueshme të nevojave tona ditore për to. Kockat janë shumë të pasura me kolagjen, një lloj proteine shumë e nevojshme për organizmin dhe lëkurën tonë. Të gjitha proteinat, vitaminat dhe kripërat e tjera minerale që marrim nga kockat janë shumë të nevojshme për përmirësimin e sistemit tonë imunitar.
Përgatitja e suprave me lëng kockash është shumë e thjeshtë. Ne mund ti gatuajmë duke kombinuar përbërësit sipas stinës, ku kuptohet gjithçka fillon nga përgatitja e lëngut të kockave. Supa me lëng kockash rekomandohet në persona që duan të përmirësojnë nivelin e hekurit në gjak, të proteinave, të rrisim sistemin imunitar, të kurojnë një gjendje virale, etj. Së shpejti do të hyjmë në stinët e ftohta të vjeshtës dhe dimrit kur dhe përballemi me viroza të shumta të stinës. Supat me lëng kockash jo vetëm janë një zgjidhje e shëndetshme, por edhe ekonomike. Jo domosdoshmërisht duhet të përgatisim supa me lëng mishi, pasi dhe lëngu kockave është po njësoj i ushqyeshëm.
Mund të përgatisni lëng nga kockat e shpendëve, kryesisht nga pula, por edhe nga gjedhet, si viçi, lopa, apo dhe të imtat si qengji, delja, dhia, etj. Ne sot do ju tregojmë si të përgatisni lëng nga kockat e viçit.
Përbërësit për lëngun e kockave
- 1 kockë këmbe viçi ose lope e copëtuar
- 1 qepë
- 1 karrotë
- 1 degë selino
- pak kripë.
- tenxhere me presion. Për të gatim të shpejtë ju nevojitet një tenxhere me presion, dhe nëse jeni duke kërkuar një të tillë, ju ftoj të hidhni një sy Këtu.
“Si krijues të këtij website, ne rekomandojmë produktet dhe shërbimet sa më cilësore dhe me ofertë sa më të mirë për Ju. Kur Ju përdorni një lidhje të klikueshme në këtë artikull për të bërë një blerje, ne mund të përfitojmë një komision të vogël dhe ju mund të dilni i fituar duke blerë produktin që ju nevojitej. Ju sigurojmë se ju nuk do të paguani asnjë qindarkë më tepër për blerjen tuaj, dhe Ju falenderojmë që mbështesni këtë website të vazhdojë të ndajë informacion të vlefshëm për Ju. ”
Përgatitja e lëngut
- Lajmë kockat e copëtuara nga kasapi dhe i vendosim në një tenxhere me presion ku do të shtojmë qepën, karrotën dhe selinonë te copëtuara dhe pak kripë. Nëse nuk ju pëlqen aroma e selinos, edhe mund ta evitoni, ose ta zëvendësoni me majdanoz. I mbulojmë kockat me ujë të ftohtë dhe i lëmë të ziejnë për një orë. Nëse do të përdorim një tenxhere normale atëherë koha e zierjes do jetë më e gjatë. Sa më ngadalë të ziejnë kockat, aq më i mirë dhe i përqëndruar bëhet lëngu i tyre. Mënyra me zjerje në tenxhere me presion është më e shpejta.
- Lëngu i kockave përgatitet shumë i aromatizuar dhe i përqëndruar nëse i pjekim më parë kockat bashkë me perimet dhe më pas i ziejmë për një kohë më të shkurtër në tenxhere me presion. Cilëndo mënyrë të përdorni, ju garantoj se vlerat ushqyese mbeten të njëjtat dhe supa që do përgatisni nga ky lëng do jetë e mbrekullueshne.
- Në fillim të zierjes nuk e mbyllim tenxheren në mënyrë që të eleminojmë shkumën që do të dali në sipërfaqe. Me ndihmën e një kullesë e heqim shkumën e kockave me kujdes, e mbyllim kapakun dhe përfundojmë zierjen e kockave. Lëngu që do të përftojmë është shumë i pasur me vlera ushqyese.
- E kullojmë lëngun e kockave dhe e mbajmë mënjanë për të përgatitur supën tonë. Mund ta ruajmë në frigorifer për disa ditë, ose dhe në ngrirje për më gjatë. Pasi lëngu mbikset, mund të eleminojmë edhe yndyrën që ngrin në sipërfaqe me lehtësi duke konsumuar kështu një lëng kockash shumë të shëndetshëm.
Si të përgatisim supë të shijshme me Lëngun e Kockave
Përbërësit për 4-6 Persona
- 1/2 qepë
- 1 karrotë
- 1 kungull
- 1 patate
- 2 l lëng kockash
- 70 g oriz për supë
- Kripë, piper, vaj ulliri, majdanoz, limon.
Përgatitja
Duke qenë se jemi ende në stinën e verës, kemi përdorur perime të stinës, por mund të kombinojmë dhjetra lloje perimesh, apo të zëvendësojmë orizin me makarona supe, etj.
Për përgatitjen e supës sonë do të ndjekim hapat si më poshtë:
- Së pari, do të grijmë perimet në copa të vogla kubike.
- Në një tigan të thellë, do të shtojmë qepën dhe pak vaj ulliri dhe do i kaurdisim së bashku sa të marri ngjyrë ari. Pastaj shtojmë perimet e tjera dhe i kavërdisim për 2-3 minuta.
- Shtojmë lëngun e kockave dhe ujë nëse duhet të përgatisni shumë racione supë.
- Shtojmë dhe orizin e larë dhe e lëmë supën të ziejë për rreth 20 minuta.
- E rregullojme supën me kripë e piper, duke e provuar më parë, pasi edhe lëngu i kockave ka pak kripë. E shërbejmë supën të ngrohtë dhe e shijojmë me piper, majdanoz dhe lëng limoni. Shumë e shijshme dhe e shëndetshme për çdo stinë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që ndaluat duke lexuar këtë recetë. Jeni të mirëpritur të lini komentet tuaja nëse e provoni.