Ground Beef And Pork Sausage Meatballs-Qofte me Mish Viçi Dhe Salçiçe Derri

Përshëndetje miq, sot do të ndajmë një recetë shumë të shijshme qoftesh, Qofte me Mish Viçi Dhe Salçiçe Derri.

Gatimi i qofteve është një nga gjërat që pëlqej pikërisht për larminë e recetave që mund të krijoj dhe shijeve që mund të kombinojmë duke përgatitur receta me lloje të ndryshme mishi për të gjithë ata që konsumojnë dhe pëlqejnë mishin por edhe receta shumë të shijshme vegjetariane apo vegane duke kombinuar perimet me nënprodukte të llojeve të qumështit me origjinë bimore apo shtazore. Sot do ngelemi përsëri tek një recetë qoftesh me mish duke kombinuar mishin e viçit me salçiçen e derrit, por nëse nuk preferoni mishin e derrit mund të përdorni edhe salçiçe viçi. Ndërthurja e mishit të grirë, me mishin e marinuar me erëza tek salçiçja do bëjnë që qoftet të dalin pas pjekjes më të shijshme dhe më të buta. Unë përdor pjekjen në furrë, por ju mund të zgjidhni ti gatuani edhe në tigan, me pak yndyrë.

Përbërësit

  • 250 g mish viçi i grirë
  • 250 g salçiçe derri
  • 1 vezë
  • 1 fetë bukë e zbutur në qumësht ose ujë
  • 1 thelp hudhër
  • 1 qepë
  • 50 g djath i grirë Parmigiano ose Grana
  • Vaj ulliri
  • Kripë, piper, majdanoz i freskët, nenexhik, manxhuranë, rigon
  • Bukë e thërrmuar për pjekjen

Përgatitja

  1. Do të bashkojmë të gjithë përbërësit në një tas të thellë që të zëmë brumin e qofteve. Kështu do të shtojmë mishin e grirë të viçit.
  2. Do i heqim salçiçeve lëkurën e jashtmë dhe mishin e grirë që është brenda tyre e shtojmë në tas.
  3. Do të grijmë qepën me renden ose një grirëse kuzhine dhe e shtojmë në tas. Do të shtojmë hudhrën e shtypur me një shtypëse hudhrash ose të grirë imët me thikë.
  4. Fetën e bukës do e zbusim pak në qumësht ose ujë, e shtrydhim dhe e thërrmojmë në tas.
  5. Shtojmë djathin e grirë, vezën, vaj ulliri, pak piper, kripë, dhe erëzat e grira imët. Kujdes me kripën pasi edhe salçiçet janë të marinuara me kripë, edhe djathi gjithashtu është i kripur, kështu që rekomandoj fare pak, ose dhe fare nëse preferoni gatimet me pak kripë.Ground Beef And Pork Sausage Meatballs-Family Cooking Recipes
  6. I përziejmë të gjithë përbërësit mirë derisa të bëhet një masë homogjene dhe e lëmë brumin të pushojë të paktën 30 minuta në frigorifer, ose dhe mund ta kaloni këtë fazë dhe të përgatisni direkt qoftet. U japim formë qofteve me duar dhe i kalojmë në bukën e thërrmuar, e cila bën që qoftet të jenë krokante nga jashtë.
  7. Ndërkohë kemi ndezur dhe furrën të nxehet në 190-200 gradë.
  8. Marrim një tavë, e lyejmë me pak vaj, ose i shtojmë një letër furre dhe rendisim qoftet në të.
  9. I pjekim qoftet në furrën e nxehur më parë për 25-30 minuta derisa të marrin ngjyrën e kuqërremtë nga jashtë. Qoftet do dalin të buta dhe krokante.
  10. Shërbejini të ngrohta duke i shoqëruar me perime furre, në avull, tw ziera apo pure. Unë përgatita pure me patate. Mund të blini edhe pure gjysëm të gatshme dhe ta gatuani, por unë preferoj ta gatuaj gjithmonë me patate të freskëta.Ground Beef And Pork Sausage Meatballs-Family Cooking Recipes

Për përgatitjen e puresë, për 3-4 racione do të ziejmë rreth 1-1.2 kg patate, 400-500 ml lëng mishi ose qumësht, kripë, piper, gjalp dhe vaj ulliri, arre myshk.

  1. Do ti lajmë mirë patatet nga dherat dhe do i vendosim në një tenxhere me ujë të ftohtë ziejmë për rreth 20 minuta, deri sa shikojmë që cipa fillon të plasaritet dhe piruni të hyjë lehtësisht në to.
  2. I heqim nga zjarri i lëmë të ftohen pak dhe ashtu të ngrohta i qërojmë dhe stypim me një shtypëse pureje.
  3. Patatet e shpypura i kalojmë në një tigan ose tenxhere që nuk ngjit, shtojmë lëngun e mishit ose qumështin dhe e ziejmë në zjarr të mesët derisa formohet një masë kremoze, sasia e lëngut ose qumështit varion në varësi të dendësisë që doni ta përgatisni purenë.
  4. Do i shtojmë gjalp ose vaj ulliri, e rregullojmë me kripë, piper, dhe arrë myshk, nëse e preferoni. E shërbejmë të ngrohtë bashkë me qoftet që përgatitëm.

Ju bëftë mirë!Ground Beef And Pork Sausage Meatballs-Family Cooking Recipes

Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të ndani recetën dhe të komentoni në formën më poshtë.

Nëse dëshironi më tepër receta qoftesh eksploroni blogun tonë.

 

Leave a Comment