Kek i Kripur Me Qepë Të Njoma është një recetë shumë e shijshme, të cilën mund ta servirim për piknik, gjatë një vakti, apo edhe për mëngjese të kripura. Kjo është një recetë e thjeshtë, me pak përbërës që gjithmonë na ndodhen në frigorifer apo kuzhinë.
Me qepët e njoma mund të përgatisim plot receta të shijshme si byrekun me qepë, pispili, apo supë.
Besoj se pasi ta provoni këtë recetë do e shtoni në menunë tuaj. Mund ta gatuani edhe vetëm me bishtat e qepëve të njoma që ju teprojnë për të realizuar këtë kek të kripur dhe të kënaqni gjithë familjen.
Përbërësit
- 300 g qepë të njoma
- 2 vezë
- 100 g gjizë
- 100 g kremviçe wudi me djath, ose proshutë
- 50 g djath i grirë
- 120 ml vaj ulliri
- 200 ml qumësht
- 250 g miell
- 50 g niseshte
- 1 pako fryrës
- Kripë
Përgatitja
- Në fillim do të grijmë qepët imët dhe do i kaurdisim në një tigan me pak vaj ulliri derisa të zbuten. Shtojmë edhe pak kripë që të ruajnë ngjyrën. Qepët janë të njoma dhe do të gatuhen për disa minuta në lëngun e tyre, ose mund të shtoni edhe pak qumësht.
- Do të ndezim furrën të nxehet në 180 gradë.
- Në një tas do të shtojmë qepët e gatuara dhe të ftohura. Do të shtojmë vezët, gjizën, djathin e grirë, kremviçen e grirë në një rende, vajin dhe qumështin dhe përziejmë mirë.
- Veçmas do të përziejmë miellin, niseshten dhe fryrësin, do i sitim dhe i shtojmë te masa e lëngët.
- Shtojmë edhe pak kripë dhe përziejmë të na formohet një brumë homogjen.
- Do të përgatisim një formë për pjekje me diametër 26 cm. Unë zgjodha një formë plumcake, po ju mund të zgjidhni formën që keni.
- Hedhim brumin dhe e pjekim kekun tonë në furrën e parangrohur në 180 gradë për 45-50 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh.
- E nxjerrim, e lëmë të ftohet pak minuta dhe e heqim kekun nga forma ku e poqëm.
- Do e transferojmë në një pjatë servirje, e presim në feta dhe e shërbejmë të ngrohtë apo vakët sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.