Shkurtëza Në Tigan është një pjatë e dytë shumë e shijshme, e cila përgatitet në pak minuta për një drekë apo darkë të shpejtë në familje apo me miq. Shkurtëza është shumë e shijshme dhe mund ta gatuajmë në receta të ndryshme të furrës, pjekur, supë, etj. Ju mund të zëvendësoni recetat tuaja të preferuara me pulë me këtë shpend. Receta e sotme është e shpejtë dhe plot shije.
Shkurtëza është një nga shpendët që njihet për vlerat e larta ushqyese dhe kurative. Ajo është në listën e Organizatës Botërore Të Shëndetit për vlerat e larta ushqyese lidhur me konsumimin e mishit ashtu dhe vezët e saj. Pikërisht për vlerat që mbart ajo kultivohet dhe mbarështohet nga fermerë të ndryshëm dhe ju mund ta gjeni lehtësisht në markatat pranë jush.
Ju mund të provoni Kërpudha Të Mbushura me Vezë Shkurtëze si edhe Zog Fshati Në Tigan.
Përbërësit
- 4 Shkurtëza
- Vaj ulliri
- kripë, piper
- Sherebel, trumëz, hudhër
- Verë e bardhë
- Pak gjalp 20 gram
Përgatitja
- I lajmë shkurtëzat dhe i pastrojmë nga pupla të vogla që mund të kenë mbetuar.
- I marinojmë me kripë e piper të zi.
- Në një tigan shtojmë pak vaj ulliri dhe erëzat, sherebel, trumëz, thelpin e hudhrës.
- I vendosim në zjarr dhe e lëmë vajin të ngrohet pak dhe aromatizohet.
- Shtojmë shkurtëzat dhe i lëmë të marrin ngjyrë duke i kthyer nga të gjitha anët.
- Do i shuajmë me verë të bardhë dhe lëmë të avullojë pjesa alkolike.
- I mbulojmë me kapak dhe i lëmë të gatuhen në temperaturë të ulet për 10 -15 minuta. Mund të shtoni edhe pak ujë të ngrohtë nqs duhet.
- Nga fundi i shtoni gjalpin në mënyrë që të lidhi salcën e ngelur në fund të tiganit.
- I shërbeni duke i shoqëruar me salcën e vet dhe çfarë të dëshironi tjetër, një sallatë, perime të furrës, oriz, pure, etj.
- Ne i shoqëruam me kroketa patatesh dhe salcë zaziq.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje apo ta ndani këtë recetë me miqtë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.