Kjo recetë e Tavës së Qefullit Me Qepë është një recetë tradicionale e kuzhinës shqiptare që gatuhet gjerësisht në familjet tona. Ne këtë recetë në familjen tonë e gatuajmë me peshk të ndryshëm deti apo liqeni, dhe sot po e sjellim me qefull deti, i cili del shumë i shijshëm i gatuar në këtë mënyrë.
Qefullin mund ta gjeni lehtësisht të freskët në këtë periudhë dhe gatuar në këtë recetë mund të kënaqni familjen tuaj në një drekë apo darkë familjare gjatë kësaj fundjave. Mund ta shoqëroni me bukë misri të thekur dhe sallata të stinës dhe është një vakt shumë i kompletuar në familje.
Receta përgatitet me pak përbërës, për një shije unike dhe të veçantë.
Ju mund të provoni edhe Levrek Të Furrës, apo Korb Deti Në furrë Me Perime.
Përbërësit për 6 persona
- Rreth 2 kg Qefull
- 2 kg qepë të pastruara
- 4-5 kokrra domate të pjekura mirë
- 2-3 lugë pure domate ose 1 lugë salcë domate
- 1 spec i kuq
- 1 lugë spec i kuq pluhur
- 5-6 thelpinj hudhër
- 4-5 gjethe dafine
- Rigon, nenexhik
- Kripë, piper i zi, vaj ulliri
- 1 lugë gjalp
- 1 lugë miell
Përgatitja
Hapi i parë- Gatimi i Qepës
- Pastojmë peshkun nga luspat, pjesët e barkut dhe velëzat, e lajmë mirë, thajmë dhe marinojmë me kripë e piper.
- Do të presim qepët në kubikë dhe në një tigan të thellë do të shtojmë vaj ulliri dhe një lugë gjalp dhe do i kaurdisim qepët me kapak mbuluar në temperaturë mesatare që të zbuten. Do të shtojmë edhe 3-4 thelpinj hudhër të grirë imët.
- Presim edhe specin në kubikë të vegjël dhe e shtojmë te qepa që të kaurdisen së bashku.
- Do të shtojmë salcën ose purenë e domates dhe kaurdisim sërish.
- Kur qepa është zbutur do të shtojmë domaten e grirë ne renden, ose të qëruar nga lëkura dhe të prerë në kubikë. Shtojmë kripë dhe piper dhe do ti lëmë të gatuhen së bashku për disa minuta derisa domatja të kthehet ne një salcë.
- Shtojmë edhe specin pluhur, gjethe dafine, rigon, nenezhik të freksët, kripë, piper dhe një lugë miell të tretur më parë në ujë. Mielli do të ndihmojë që tava të mpikset më mirë. Nëse domatet nuk i keni shumë të pjekura dhe ju rezulton e thartë mund të shtoni një majë luge sheqer.
- Shtojmë edhe një gjysëm gote ujë, që qepa të gatuhet mirë në furrë gjatë pjekjes dhe e kemi gati për ta shtuar në tavën tonë.
Pjekja e Tavës
- Peshkun e marinuar, do e vendosim në tavë duke i bërë dy-tre prerje me thike në shpinë në mënyrë që peshku të marrë shijen e qepës nga gjella e përgatitur dhe të piqet si duhet. Në barkun e peshkun vendosim nga një thelp hudhër dhe gjethe dafine.
- Do të hedhim qepën e kaurdisur në tavë dhe do e pjekim në furrë të parangrohur në 200 gradë për 45-50 minuta derisa sa qepa të jetë gatuar si duhet dhe tava të shteret duke rezultuar me pak lëng.
- E shërbejmë të ngrohtë shoqëruar me bukë misri të thekur.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje mbi recetën.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.