Flutura Me Salcë Peshku Dhe Domate është një pjatë e parë të cilën mund ta gatuani për darkë pas një dreke me peshk të furrës.
Unë e përgatita për të ricikluar peshkun e gatuar të mbetur nga dreka, por mund ta gatuajmë edhe me peshk të freskët.
Receta është verore dhe shumë e shijshme për tu shijuar në fundjavë apo edhe përditshmëri.
Ju mund të provoni edhe Linguine Me Veze Peshku.
Përbërësit
- 400 g makarona flutur
- 250 g tul peshku
- 4 domate të kuqe mesatere
- 1 qepë e njomë
- 1 kungull
- 1 thelp hudhër
- Një dorë ullinj të zinj
- Kripë e piper
- Vaj ulliri
- Majdanoz dhe borzilok të freskët
Përgatitja
- Do të përgatisim salcën duke kavërdisur në një tigan të thellë qepën e grirë hollë me vaj ulliri.
- Pastaj do të shtojmë kungullin e grirë hollë dhe ullinjtë e zinj. Ju mund të përdorni edhe lloje të tjera ullinjsh ose të mos i përdorni nqs nuk i pëlqeni.
- Do ti përziejmë dhe do ti gatuajmë për disa minuta derisa të zbuten pak.
- Shtojmë domatet e pastruara nga lëkurat dhe të prera në kubik.
- E gatuajmë salcën në zjarr të mesëm për 10 minuta.
- Shtojmë kripë e piper të zi dhe copat e peshkut të pastruara nga halat. Nëse do përdorni peshk të pagatuar më parë, duhet që të shtojmë copat e peshkut të filetuar dhe pastruar nga halat dhe lëkurat para se të shtojmë domaten.
- Do ta lëmë salcën të gatuhet për disa minuta dhe do të shtojmë erëzat e freskëta.
- Ziejmë makaronat në ujë të vluar me kripë, i kullojmë të gatuara al dente dhe i shtrojmë te salca.
- I përziejmë në zjarr për 2 minuta të marrin shije. Shtojmë edhe pak ujë nga zierja dhe e lëmë salcën pak të lëngshme.
- I shërbejmë menjëherë. Me një fije vaj ulliri krudo dhe gjethe borzilok të freskët.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.