Duke qenë se jemi në stinën e verës, nuk mund të mungojnë recetat me patëllxhanë në tryezat tona.
Sot dua të ndaj Musakanë me Patëllxhan, e cila është një pjatë kryesore, një kombinim perfekt i mishit të grirë me perimet. Këtë recetë mund ta përgatisim për gjithë familjen, por edhe në racione personale, duke përdorur tava balte një-racionëshe. Pikërisht, unë sot e gatova të tillë recetën, duke përgatitur musaka për një person, pasi gatova disa receta me patëllxhan, duke përdorur pothuaj të njëjtët përbërës. Përdora tava një-racionëshe për të plotësuar dëshirat e gjithë pjesëtarëve të familjes. Në vijim po ju shpjegoj recetën e musakasë.
Përbërësit për Musaka me Patëllxhan Për një Person
- 1 patëllxhan i madh, ose 2 të vegjël.
- 100 g Mish i grirë viçi
- 1 qepë
- 1/2 karrotë e vogël
- 1/2 Kungull jeshil
- 1-2 domate të pjekura
- Kripë, piper, van ulliri, majdanoz.
- 50 g djath i grirë Parmixhano
Për beshamelin
- 250 ml qumesht
- 1 lugë miell
- 1 lugë gjalp
- Pak kripë, arrë moskat.
Përgatitja
- Lajmë patëllxhanët, i presim në feta jo shumë të holla, i kriposim pak dhe i lëmë të pushojnë në ujë me kripë, që tu dalë edhe hidhërimi nëse kanë.
- Nxehim furrën në 200 gradë.
- Përgatisim një tavë për pjekje, të lyer me pak vaj.
- Kullojmë patëllxhanët, i fshijmë me letër kuzhinë, dhe i marinojmë me pak vaj ulliri dhe kripë. I vendosim në tavë, dhe i fusim në furrën e nxehur më parë, dhe i pjekim për 15-20 minuta, sa të marrin një pjekje të lehtë, por jo të thahen.
- Ndërkohë, grijmë qepët, karrotën, kungullin, në kubikë të vegjël.
- Në një tigan, shtojmë vaj ulliri, qepën e grirë imët, dhe e lëmë të zbutet, shtojmë mishin e grirë, dhe sërish me kapak mbuluar e lëmë të kaurdiset bashkë me qepën. Kur mishi ndryshon ngjyrë, shtojmë karrotën dhe kungullin. Kur këto fillojnë të zbuten, shtojmë domaten e grirë në renden, ose grirëse kuzhine. Shtojmë kripën, piper, dhe majdanoz të grirë, dhe i lëmë të gatuhen me kapak mbuluar, për 15-20 minuta sa të mos kërcasë qepa në gojë.
- Ndërkohë, në një tenxhere apo tigan që nuk ngjit, përgatisim beshamelin. Kaurdisim miellin me gjalpin, dhe shtojmë qumështin, duke trazuar në zjarr të ngadaltë derisa të krijohet një krem homogjen, pa kokërriza. I shtojmë kripë, piper, arrë moskat dhe e lëmë mënjanë të ftohet i mbuluar me një celofon. Për më shumë rreth beshamelit, këtu mund të gjeni recetën e plotë.
- Ndezim sërish furrën në 200 gradë.
- Marrim një tavë balte një racionëshe dhe fillojmë të shtrojmë musakanë.
- Shtojmë një shtresë beshamel, pak nga mishi me qepën, dhe krijojmë një shtresë me feta të pjekura patëllxhani.
- Shtojmë sërish nga përzierja e mishit me qepën, domaten dhe perimet e tjera, beshamel, pak djathë të grirë, dhe kështu vazhdojmë derisa të mbushet tava. Në fund do përfundoni me beshamel dhe djath të grirë.
- Vendosni për pjekje në furrën e nxehur për 20-30 minuta, derisa të marri ngjyrë të kuqërremtë.
- E shërbejmë të ngrohtë, me pak bukë të thekur.
Ju bëftë mirë!
Shënim: Ju mund të përgatisni më tepër patëllxhanë në feta dhe të përgatisni receta të ndryshme, si lazanja me patëllxhan, patëllxhanë me djath parparmixhan, apo role me patëllxhan.

Ju mund ti përgatisni fetat e patëllxhanit të skuqura në një tigan, duke i kaurdisur lehtë nga të dyja anët. Unë ju rekomandova mënyrën me pjekje si më e lehtë dhe më e shëndetshme, pasi në këtë mënyrë patëllxhani nuk thith shumë vaj.
Faleminderit që vizitoni faqen tonë. Jeni të mirëpritur të lini komentet apo pyetjet tuaja më poshtë. Ne do ju përgjigjemi shpejt.