Risotto Primavera është një recetë e kuzhinës Italiane, shumë e shijshme dhe e pëlqyer nga të gjithë. Kjo recetë është me bazë orizi dhe perimesh, një pjatë unike vegjetariane për tu shijuar për një darkë apo drekë.
Ka versione të ndryshme të gatimit të kësaj recete, por unë dua ta sjell sot të gatuar me perime të cilat i kemi gjithmonë në frigorifer, shijuar me vezë, kripë e piper.
Nëse fëmijët tuaj nuk kanë dëshirë të hanë perimet, në këtë mënyrë jam e sigurt se do fitoni ndaj refuzimeve të tyre.
Receta përgatitet shpejt dhe në më pak se 20 minuta mund ta shërbeni në tavolinë.
Kjo pjatë e shpejtë dhe e shijshme do ju bëjë përvete pasi ta provoni duke e futur në menunë tuaj
Mund të përdorni edhe perime të tjera duke ndjekur të njëjtën mënyrë të gatimit, si dhe për një version vegan mos përdorni vezë.
Ju ftoj të eksploroni Blogun tonë për më shumë receta me bazë orizi.
Përbërësit për 4 persona
- 250-300 g oriz i parazier
- 4 Vezë
- 1 qepë e njomë
- 1/2 degë selino
- 1 karrotë
- 1 kungulleshkë
- 1 spec i kuq
- 100 g bizele të ngrira
- Vaj ulliri
- Kripë
- Piper
- Majdanoz i freskët
Përgatitja
- Si fillim vendosim një tenxhere me ujë të vlojë dhe sapo uji vlon, ziejmë orizin për 10 minuta.
- Të gjitha perimet e lara dhe pastruara do i presim në kubikë të vegjël.
- Në një tigan, shtojmë 2-3 lugë vaj ulliri, qepën e njomë, selinonë dhe karrotën e prerë kubikë.
- Pasi këto zbuten pak do të shtojmë edhe perimet e tjera.
- Shtojmë kripë e piper dhe i lëmë të gatuhen në nxehtësi mesatare me kapak mbuluar duke i trazuar herë pas here.
- Orizin e zierë pjesërisht, e kullojmë dhe e shtojmë tek perimet.
- Do të shtojmë edhe vezët një nga një, dhe fillojmë trazojmë në temperaturë të ulët që veza të gatuhet dhe njëkohësisht të shijohet i gjithë orizi me këtë sasi vezësh. Vazhdojmë përzierjen për 2-3 minuta.
- Shijojmë me kripë, piper, vaj ulliri dhe majdanoz të grirë hollë sipas dëshirës.
- E shërbejmë orizin me perime të ngrohtë shoqëruar me sallatë me domate, kastraveca, dhe djath.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë.
Në vlerësojmë opinionin tuaj.