Linguine Me Veze Peshku Dhe Domate Qershi është një pjatë e parë shumë e shijshme për tu shijuar në një drekë me gatime peshku gjatë fundjavës, ose edhe si pjatë unike në një darkë të lehtë. Në këtë periudhë ndodh shpesh që peshkun e detit që blejmë të freskët ta kemi me vezë, të cilat i përdorim në këtë recetë shumë të shijshme. Receta është e thjeshtë dhe për të ruajtur shijen e veçantë të vezëve të peshkut përdorim përbërës të thjeshtë.
Unë e gatova salcën me vezët e peshkut Merluc, i cili është i pasur në Vitamina A, E, D dhe omega-3. Shtova edhe domate qershi, hudhër dhe majdanoz. Ndiqni hapat më poshtë për të përgatitur këtë pjatë të shijshme.
Ju mund të hidhni një sy edhe në recetat tona të ngjashme me linguine.
Përbërësit për 4-5 Persona
- 500 g Linguine
- 200-250 g vezë peshku të freskëta
- 200 g domate qershi
- 1 thelp hudhër
- 1 tufë majdanoz
- borzilok
- Kripë, piper, vaj ulliri
- ½ gotë verë e bardhë
Përgatitja
- Do të shpëlajmë vezët e peshkut, i thajmë më letër kuzhine dhe i lëmë mënjanë si janë pa e hequr qesen mbështjellëse. Presim dhe domatet në mes dhe i lëmë mënjanë.
- Vendosim të ziejë ujin e makaronave dhe kur uji të marrë valë do të shtojmë kripë dhe linguinet të ziejnë një minutë më pak se koha e paketimit.
- Në një tigan shtojmë vaj ulliri dhe thelpin e hudhrën të ndarë në mes, të cilin do e heqim më vonë. Nëse keni mund të shtoni edhe 2-3 gjethe borzilok. Nëse nuk e pëlqeni aromën e fortë të hudhrës, e lëmë të paqëruar thelpin, vetëm eshtypim që të lëshojë lëngun në vaj dhe e heqim më pas.
- Sapo vaji fillon të aromatizohet, shtojmë domatet qershi dhe i lëmë të kaurdisen për pak minuta me kapak mbuluar. Do të shtojmë edhe pak kripë dhe piper të zi të bluar në moment.
- Kur domatja fillon të lëshohet do e shuajmë me verë të bardhë, duke rritur temperaturën që të avullojë pjesa alkolike dhe të na formohet një salcë.
- Kur shohim që fillon e trashet lëngu i lëshuar nga bashkimi i domates me verën do të shtojmë dhe vezët e peshkut, të cilat fillojnë të hapen dhe shpërbëhen. Do të heqim me kujdes qesen që i mbështjell vezët dhe hudhrën. Për 1-2 minuta vezët janë gati, shtojmë edhe pak kripë, piper, dhe pak uji nga i zierjes së makaronave nëse salca është shumë e thatë.
- Sapo makaronat përfundojnë zierjën i shtojmë te tigani salcës, shtojmë vaj ulliri bollshëm, kripë, piper dhe majdanoz të grirë imët dhe për një minutë janë gati.
- I shërbejmë menjëherë.
Ju bëftë mirë!
Përmbyllje
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona si dhe na mbështesni duke komentuar, pyetur rreth tyre apo duke i ndarë ato në rrjetet sociale. Ne vlerësojmë mendimin dhe ndihmesën tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.