Kotoleta Me Pulë Dhe Spinaq është një pjatë e dytë shumë e shijshme e cila mund të serviret për çdo grup moshë përfshirë edhe fëmijët e vegjël. Kjo recetë ështe një mënyrë për të mësuar fëmijët të konsumojnë mishin së bashku me perimet.
Ne po e sjellim të gatuar me mish pule dhe spinaq, por ju mund të eksperimentoni vetë edhe me perime të tjera për të vegjlit tuaj.
Gjithashtu të njëjtin brumë të përgatitur, mund ta bëni edhe qofte të vogla dhe ti gatuani në supë, në lëng, apo edhe në furrë për fëmijët.
Unë po ju sjell kotoletta, të cilat unë i kam gatuar me pak vaj ulliri në tigan, për të shmangur vajin e tepërt dhe për një gatim sa më të shëndetshëm.
Ju mund të provoni edhe qoftet me pulë, apo qoftet me spinaq.
Përbërësit
Për brumin
- 350-400 g gjoks pule
- 150 g spinaq i freskët
- 1 vezë
- 2-3 lugë djath i grirë
- Kripë, piper, majdanoz i freskët, pak vaj ulliri
Për panaturën
- 2-3 vezë
- Miell
- Bukë e thërrmuar (galetë)
- vaj për skuqje
Përgatitja
Përgatitja e kotoletave
- Si fillim do të ziejmë spinaqin në pak ujë të valuar me kripër për 2-3 minuta.
- E kullojmë spinaqin, e lëmë të ftohet, dhe e shtrydhim edhe me duar për të eleminuar ujin e tepërt.
- Do të eleminojmë kockat dhe dhjamin që mund të jetë te gjoksi i pulës.
- Në një grirëse kuzhine, do të hedhim gjoksin e pulës të prerë në copa dhe e grijmë.
- Po aty do të shtojmë spinaqin, vezën, kripë, djathin, piperin, majdanoz, pak vaj ulliri dhe i frulojmë sërish.
- Do i japim formë brumit të krijuar me duar si të na pëlqejë dhe formojmë kotoletat, të cilat i vendosim për 20-30 minuta në frigorifer. Mund ti përgatisni edhe një ditë përpara dhe ti gatuani të nesërmen.
Gatimi e Servirja
- Do të rrahim vezët mirë në një enë të hapur. Do të përgatisim edhe dy pjata një më miell dhe një me bukë të thërrmuar.
- Vendosim tiganin në zjarr me pak vaj ulliri, ose më 1-2 gisht vaj vegjetal nëse doni ndryshe dhe e lëmë të ngrohet.
- Do i kalojmë kotoletat në miell, vezë dhe bukë të thërrmuar duke e përsëritur këtë proçes dy herë. Kjo për të qenë sa më krokante nga jashtë.
- I vendosim në tigan dhe i gatuajmë në nxehtësi mesatare nga 3-4 minuta nga secila anë sa të marrin ngjyrën e kuqërremtë të bukur.
- I vendosim në një pjatë me lëtër kuzhine për të eleminuar vajin e mbetur në sipërfaqe.
- Kotoletat e pulës me spinaq i servirim të ngrohta sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!