Komposto Dardhe E Konservuar është një nga konservat më të shijshmë të frutave të freskëta për tu shijuar në stinën e dimrit.
Dardha është një frut që e gjejmë të freskët dhe të pjekur mirë në këtë stinë. Pra, jemi në kohë për të konservuar për dimër varietetin e dardhës që na pëlqen dhe ta shijojmë këtë komposto të shijshmë dhe plot aromë në stinën e ftohtë.
Ashtu si dhe Komposto e Pjeshkës dhe Kumbullës, komposto e dardhës mund të përgatitet duke filluar që në fillim të stinës së verës kur edhe fillojnë varietet e para të dardhave deri në vjeshtën e vonë, kur ende mund të gjejmë dardhë të freskëta në shitje apo në pemët e oborreve tona.
Për përgatitjen e kompostove mirë është të përdoren fruta të pjekura por ende të forta, të padëmtuara dhe pa infeksion. Prandaj mirë është që frutat të jenë vjelë në po atë ditë që do përdoren për komposto.
Komposton mund ta përgatisni me dardhë të plota, nëse keni dardhë organike dhe të vogla të rritura në shtëpitë tuaja. Në të kundërt mirë është që dardhët ti pastrojmë nga lëkura dhe ti presim në pjesë duke eleminuar edhe pjesën e fortë të mesit dhe farave të frutit.
Unë po jap sasitë e përbërësve për 2 kg dardhë, ndërkohë sasia e sheqerit mund të pakësohet apo shtohet në varësi të ëmbëlsisë së frutave. Gjithashtu sherbeti që do përgatisni mund edhe të teprojë, konsideruar sa ngjeshur do i mbushni kavazonat me dardhë të prera.
Përbërësit
- 2 kg dardhë
- 1 litër ujë
- 400 g sheqer
- 1 limon
- Shkop Kanelle, anice (glikanxo yll) për aromë
Përgatitja
Përgatitja e Kompostos
- Së pari sterilizojmë kavanozat duke i zierë për 20 minuta në tenxhere me ujë, ose në furrë të parangrohur në 200 gradë për 10 minuta. Kapakët duhet të jënë të rinj.
- Si fillim do të lajmë dardhët mirë dhe do i lëmë të kullojnë nga uji. Do i pastrojmë dardhët nga lëkura dhe i presim në mes apo në katërsh, duke pastruar pjesën e farave.
- Dardhët e qëruara do i vendosim në një enë me ujë me lëng limoni që dardhët të mos oksidohen dhe nxihen.
- Ndërkohë, do të përgatisim sherbetin. Vendosim në një tenxhere sasinë e ujit dhe sheqerin dhe do i vendosim në temperaturë mesatare duke përzierë që sheqeri të tretet. Shtojmë aty edhe një shkop kanelle, aniçe apo edhe aroma të tjera nëse preferoni.
- Do e lëmë të ziejë për 3 minuta pasi sherbeti të marri valë.
- Ndërkohë, frutat i vendosim nëpër kavanozat e sterilizuar duke i sistemuar me kujdes në mënyrë që të mund të vendosim sa më shumë fruta.
- Kur ti kemi gati do të shtojmë shurupin e përgatitur. Do i tundim kavanozat në mënyrë që të dalin flluskat e ajrit që mund të këtë në brendësi.
- I mbyllim kavanozat mirë duke i shtrënguar kapakët fortë dhe do i përmbysim kavazozat.
Sterilizimi dhe Ruajta
- Pasi kavanozat ftohet, do i vendosim në një tenxhere me ujë të ftohtë me kokë lart të mbështjellë edhe me një pecetë në mënyrë që të mos na përplasen gjatë vlimit.
- Do i lëmë të ziejnë edhe për 5-10 minuta pasi të fillojë të vlojë uji dhe do i heqim nga uji dhe do i lëmë të ftohen me kokë lart mbuluar me një pecetë tavoline.
- Në rast se do e shtoni shurupin të ftohur plotësisht, i mbullim kavanozat mirë, i provojmë përmbys nëse rrjedhin apo jo. Do i vendosim në tenxhere me kokën lart të mbuluara plotësisht nga uji si shpjeguam më lart dhe do i ziejmë edhe për 5-10 minuta pasi uji merr valë.
- Do i heqim nga uji dhe i kthejmë përmbys derisa të ftohen në mënyrë që të krijojnë mbylljen hermetike. Mund ti heqim nga uji dhe ti lëmë të ftohen edhe me kokë lart të mbuluara mirë. Nëse do i lini të ftohen kavanozat brenda tenxheres me ujë, atëherë kjo është një komposto që mund të konsumohet më shpejt.
- Gjithashtu nëse dardhët janë të forta mund të zgjidhni që ti zieni që në fillim për 5 minuta bashkë me shurupin dhe më pas të ndiqni proçedurën për mbushjen e vazove, mbylljen dhe sterizimin si shpjeguam më lart.
- Kavazonat e mbyllur si duhet duhet të kenë një kapak në vakum, jo të fryrë, apo të bëjë klik nëse i mëshoni me gisht.
- Kavanozat i ruajmë në vend të errët dhe të thatë. Pasi i hapim i konsumojmë direkt ose mund ti ruajmë në frigorifer për 2-3 ditë.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje