Kek Me Kajsi është një recetë verore plot aromë dhe shije. Kjo ëmbëlsirë përgatitet lehtë dhe në pak minuta.
Mund ta servirim kekun për mëngjes, pasdite, apo pas një vakti.
Duke qenë se jemi në periudhën kur kajsitë i gjejmë të freskëta, ju rekomandoj ti përdorni ato dhe frutat e tjera sa më shumë në recetat tuaja, qofshin ëmbëlsira ose jo.
Ju mund të provoni edhe Tortë me Kumbulla, apo Tortë me Luleshtrydhe.
Përbërësit
- 2 Vezë
- 100 g sheqer
- 70 ml vaj
- 50 ml qumësht
- 200 g miell
- 250 g kajsi të freskëta
- 1/2 pako fryrës për ëmbëlsira
- Lëkurë limoni e grirë
- Pak kripë
- Sheqer pluhur për dekor
Përgatitja
- Në një tas qelqi, me një rrahës elektrik do të rrahim vezët me sheqerin sa të bëhet shkumë. Shtojmë edhe një të kapur të gishtave kripë.
- Me pas, do të shtojmë vajin dhe vazhdojmë përzierjen.
- Shtojmë qumështin, lëkurën e limonit të grirë dhe në fund miellin e situr bashkë me fryrësin.
- Kajsitë do i lajmë, thajmë, dhe heqim farën. Një pjesë i presim në copa të vogla dhe do ti shtojmë në brumin e kekut. Pjesën e mbetur do ti presim në feta që ti vendosim sipër.
- E përziejmë mirë me një spatul.
- Përgatisim një tavë keku me diametër 22 cm. Do ta lyejmë tavën me pak gjalp dhe e spërkasim me miell.
- Do të hedhim brumin e përgatitur dhe i vendosim sipër fetat e prera të kajsive.
- E vendosim tavën të piqet në furrë të nxehur më parë në 180 gradë për 35 minuta.
- E provojmë pjekjen e kekut me një kunj dhëmbësh. Do ta heqim kekun nga furra dhe e lëmë të ftohet.
- E spërkatim me sheqer pluhur dhe e servirim. Mund ta servirni me akullore në stinën e nxehtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.