Preshi është një nga perimet që na shijon në gatimet e ndryshme gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. Mund ta konsumojmë të gjallë në sallata, apo edhe të gatuar në të gjitha mënyrat, në gjellë, të pjekur në furrë, në byrekë apo lakrorë, e plot receta tradicionale shqiptare. Sot duam të ndajmë një recetë shumë të shijshme të Supës Krem Preshi, një pjatë e parë vegjetariane për tu shijuar në çdo ditë të ftohtë dimri apo vjeshte.
Supa në stinën e dimrit është një ushqim që në tavolinën tonë nuk mungon. Gjithashtu me pak përbërës mund të përgatisim një supë shumë të shijshme, siç është dhe kjo recetë që po ndajmë me ju sot. Në çdo sezon viti duhet të përdorim perimet e stinës. Në këtë periudhë të vitit preshi është i tillë kështu që ta konsumojmë sa më shumë në supa, sallata dhe gatime të ndryshme.
Preshi është një prej perimeve që është konsumuar që në lashtësi, kështu e gjejmë të përmendur në shkrimet e lashta, si Bibla, apo vërtetuar nga gërmimet arkeologjike, që është konsumuar në Egjiptin dhe Romën e Lashtë, me një prefecencë superiore përkundrjet konsumimit të qepës dhe hudhrës. Preshi ka qenë një nga perimet e preferuara të Perandorit Nero, duke e konsumuar në supë apo me vaj, pasi preshi kishtë veti të përmirësonte cilësinë e zërin. Për këtë njihej edhe me nofkën Ngrënësi i Preshit.
Preshi është i pasur në një sërë vitaminash dhe kripërash minerale. Kështu ai përmban Vitamin K, C, A, B6, Folate dhe Vitamin E. Përsa i përket kripërave mirerale preshi është i pasur me Manganesë, Hekur, Magnez dhe Kalcium.
Përbërësit
- 1-presh
- 2-patate
- 100 ml pana kuzhine
- 2 lugë djath Parnixhan i grirë
- 2 l lëng perimesh
- Vaj ulliri
- Kripë, piper, majdanoz
- 1 Limon
Përgatitja
- Lajmë preshin dhe e pastrojmë nga gjethet jeshile. Përdorim pjesën e kërcellit. E grijmë hollë dhe e kavërdisim me vaj ulliri për 2-3 minuta.
- Shtojmë dhe patatet e pastruara dhe prera në kubik mesatar. I përziejmë të gjitha në zjarr të mesëm për 3 minuta dhe e i shtojmë lëngun e perimeve. Mund të përdorni edhe lëng mishi nqs dëshironi.
- Lëreni supën të zjeje për 15-20 minuta dhe e kalojmë në një grirëse kuzhine duke pasur kujdes me sasinë e lëngut gjatë frulimit. Mos e shtoni të gjithë lëngun kur e fruloni preshin pasi mund tu dali supa shumë e hollë, por rregullojeni supën duke ja shtuar lëngun në fund sipas trashësisë që dëshironi të ketë supa në përfundim.
- Pasi ta keni fruluar supën dhe rregulluar si duhet, shtoni panën dhe djathin e grirë. I lëmë dhe 1 minutë në nxehtësinë shumë të ulët apo edhe fikur nëse soba juaj e ruan nxehtësinë. E heqim dhe e shijojmë supën sipas dëshirës me lëng limoni, vaj ulliri, piper të zi dhe majdanoz të freskët. Servireni të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe vizituat një tjetër recetë nga Blogu ynë. Jen të mirëpritur të lini komentet tuaja mbi recetën në formën më poshtë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.