Kjo recetë e Qofte Tigani Me Kungulleshka është shumë e shpejtë dhe e thjeshtë për tu përgatitur. Me përbërës, që i kemi gjithmonë në shtëpi mund të përgatisim një antipastë të ngrohtë shumë të shijshme për vaktet tona verore.
Recetën mund ta gatuani me kungulleshka ose dhe me kungull të njomë vere. S’kemi pse përgatisim vetëm byrek me kungull, që gjithashtu është shumë i shijshëm, por mund të eksploroni edhe në receta më të thjeshta dhe praktike.
Ju mund të provoni edhe petullat me kungulleshka apo qoftet me kungulleshka.
Përbërësit
- 600 g kungulleshka ose kungull vere
- 1 vezë e madhe ose dy të vogla
- 2 lugë plot djath të grirë
- 2 lugë miell
- 1-2 lugë plot me gjizë
- 2 lugë majdanoz i freskët i grirë
- Kripë, piper, vaj ulliri
Përgatitja
- Si fillim i lajmë kungulleshkat, i fshijmë, dhe pasi i pastrojmë nga pjesa e bishtit, do i grijmë në një renden. Nëse do përdorni kungull të njomë, do ja hiqni lëkurën me një qëruese patatesh dhe më pas e grijmë.
- Kungullin e grirë, i shtojmë pak kripë dhe e vendosim në një kullesë për 10-15 minuta të kullojë ujin e tepërt.
- Më pas e shtrydhni fort me duar ose duke e mbështjellë edhe me një pecetë kuzhine për të hequr ujin e mbetur.
- Në një tas do të shtojmë kungullin, vezën, miellin, djathin, gjizën, majdanozin, kripë, piper dhe i përziejmë mirë të na formohet një brumë homogjen.
- Do të vendosim një tigan që nuk ngjit në zjarr me 1-2 lugë vaj ulliri.
- Me ndihmën e një lugë gjelle do të marrim brumë dhe e vendosim në tigan duke e shtypur pak që brumi të hapet pak dhe të piqet më mirë.
- Do i gatuajmë në zjarr mesatar në 2-3 minuta në secilën anë sa të marrin ngjyrë të artë dhe të piqen në mes.
- Pas gatimit i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të hequr sasinë e vajit në sipërfaqe.
- I shërbejmë të ngrohta shoqëruar me salcat tuaja të preferuara. Unë përgatita një salcë të shpejtë duke përzierë 2-3 lugë kos, 1 lugë çaji mustardë, 1 lugë çaji lëng limoni, kripë, piper, 2 lugë vaj ulliri.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.