Kjo recetë e Perimeve Të Furrës Të mbushur Me Gjizë është një tjetër pjatë verore që mund të përdoret si aperitivë, pjatë shoqëruese apo një sallatë e ngrohtë në një drekë apo darkë familjare.
Përbërësit
- 2 patëllxhan
- 2 kunguj
- 2 speca
- 100 g gjizë pa kripë e embël
- 2 lugë djath parmixhan i grirë
- Vaj ulliri, kripë, piper, majdanoz , borzilok
- 1 thelb hudhër
Përgatitja
- Lajmë perimet mirë në ujë të rrjedhshëm. Nisim të pastrojmë patëllxhanët nga bishti dhe i heqim edhe 1 pjesë të lëkurës. I presim në mes në mënyrë gjatësore, pastaj i gërryejmë me një thikë pjesën e mesit të tulit të brendshëm sa për të formuar një hark të vogël në formë varke, që mbushja të qëndrojë më mirë dhe i fusim në ujë të ngrohtë me kripë për 30 minuta që tu dali hidhërimi.
- Vazhdojmë dhe me kungullin duke e prerë po njësoj. Pjesët që heqim nga perimet i mbajmë mënjanë për mbushjen. Dhe specat i presim në gjatësore dhe i pastrojmë nga farat.
- Nxehim furrën në 200 gradë.
- I rregullojmë të gjitha perimet në një tavë qelqi pirex dhe i marinojmë me pak kripë, pak vaj, dhe piper të zi, dhe i fusim në furrë të nxehur 200 gradë për 10 minuta.
- Ndërkohë, përgatisim mbushjen duke grirë imët pjesët e hequra nga tuli i perimeve, erëzat, hudhrën , gjizën, djathin, vaj, kripë e piper. I përziejmë të gjitha dhe me ndihmën e një lugë, e vendosim mbushjen sipër perimeve të pjekura pjesërisht dhe të ftohura më parë. Mbushjen e ngjeshim pak me shpinë të lugës.
- I rregullojmë të gjitha perimet e mbushura në tavë dhe e spërkasim me pak vaj ulliri. Vazhdojmë pjekjen në furrë për rreth 30 minuta gjithsej. Mund edhe të mos i fusni perimet më parë në furrë dhe ta nisni pjekjen pasi i keni mbushur duke i lënë më gjatë në furrë.
- Hiqini nga furra dhe shërbejini të ngrohta me majdanoz të grirë të freskët sipër.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni duke lënë komentet tuaja, dhe duke ndarë këtë recetë.
Irinda