Casatiello është një Bukë Pashke me miks djathrash dhe sallami, e cila është një nga llojet e bukëve më të pëlqyera për piknikun apo drekën e Pashkës. Kjo është një recetë traditionale e krahinës së Napolit të Italisë. Casatiello në këtë recetë mbushet me djathra dhe sallame, të cilat i japim shije të veçantë dhe e bëjnë të pëlqyer nga të gjithë.
Ju mund të përdorni llojet e djathit dhe sallamin që ju pëlqen, por më tipiket janë sallam Napoli, djath Pecorino, Provolone Pikante, proshuta të ndryshme, etj.
Ju mund të provoni edhe Bukën me Hithra.
Përbërësit
- 650 g miell
- 375 ml ujë
- 25 ml vaj ulliri
- 25 g gjalp
- 10 g maja e thatë
- 15 g kripë
- 4 vezë
- 200 g provolone pikante
- 100 g Pecorino, ose kaçkavall Dele
- 100 g sallam Napoli ose Tourist
- 100 g pançetë ose speck
- 100 g sallam pikant, ose Suxhuk
Përgatitja
- Do të tresim majanë në ujin e vakët dhe po aty do të shtojmë edhe vajin e ullirit.
- Fillojmë të zëmë brumin duke shtuar gradualisht miellin e situr te masa e lëngët. Shtojmë edhe kripën dhe gjalpin dhe do të zëmë një brumë të butë.
- E punojmë pak brumin, e rrumbullakosim dhe e lëmë të pushojë disa minuta. Përgatisim përzierjen e djathrave dhe sallameve duke i prerë të gjitha kubikë.
- Një pjesë të vogël nga brumi e mbajmë veç dhe të gjithë brumin do e përziejmë me djathin dhe sallamin e prerë. Ka dy mënyra për këtë. Ose do e hapni brumin në një petë drejtkëndore, siç vepruam te buka me Hithra, duke shtuar mbushjen dhe bërë bukën role. Unë zgjodha mënyrën tjetër duke i bashkuar direkt brumin dhe mbushjen për të përftuar një brum të vetëm.
- Përgatisim një tavë keku me vrim në mes me diametër 26 cm, të lyer me gjalp e pudrosur me miell dhe vendosim në të brumin e zgjatur si role.
- Do të vendosim sipër vezët e lara mirë të pagatuara pasi do gatuhen bashkë me bukën. Me atë pak brum që mbajtëm mënjanë, do të fiksojmë vezët kryq.
- Bukën e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të vijë për 1-2 orë sa të dyfishojë volumin.
- Për një pjekje sa më të mirë përdorni furrë statike në temperaturën 170 gradë për një orë.
- E heqim bukën nga furra, e lëmë të ftohet pak, e heqim edhe nga tava dhe e lëmë të ftohet plotësisht.
- Pasi ftohet, e presim në feta dhe e servirim sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Ju ftoj ta provoni këtë recetë për Pashkë. Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinion tuaj.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
Gëzuar Pashkën!