Reçeli i Pjeprit është shumë i thjeshtë për tu realizur dhe shija delikatë dhe e mbrekullueshme e pjeprit nuk do ju zhgënjejë kur ta provoni. Për këtë recetë do të përdorim varietetin Cantaloupe, që është pjepri i verdhë në portokalli nga brenda dhe jeshil në pjesën e jashtme.
Kjo është një mënyrë shumë e këndshme për të konservuar dhe shijuar aromën e pjeprit edhe në ditët e ftohta gjatë mëngjeseve tona, por gjithashtu mund ta përdorim në përgatitjen e tortave dhe ëmbëlsirave tona të shtëpisë. Unë ju ftoj ta provoni dhe shijoni këtë recetë. Meqë jemi në stinën e verës, është koha e duhur për të përgatitur këtë recetë.
Përbërësit
- 1 kg tul Pjepri Cantaloupe.
- 450-500 g sheqer (do shikoni sa i ëmbël është pjepri)
- 1 limon ( lëngu)
- Gjethe barbaroze për aromë
Përgatitja
- Pastrojmë pjeprin nga lëkura dhe farat, e presim në copa dhe e frulojmë në një grirëse kuzhine elektrike.
- Në një tenxhere, shtojmë pjeprin, lëngun e limonit dhe sheqerin. I ziejmë në temperaturë mesatare ose të ulët për 25-30 minuta deri sa të fillojë të trashet. Trazojmë reçelin çdo 4-5 minuta dhe kontrollojmë trashësinë. Nga fundi shtojmë edhe gjethet e barbarozës dhe kur reçeli të jetë gati, e hedhim reçelin të nxehtë në kavanoza qejqi të sterilizuar më parë duke i zjerë në ujë për jo më pak se 20 minuta.
- I mbyllim kavanozat mirë dhe i vendosim të ftohen përmbys. Nuk I kthejmë sa të ftohen plotësisht. Shënojmë datën e përgatitjes së reçelit dhe e ruajmë në vend të freskët dhe të thatë. Nëse do e hapim kavanozin do e ruajmë në frigorifer deri në konsumim.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga faqja jonë.