Supë Me Hikërr, Mish Viçi, Dhe Perime është një pjatë e ngrohtë, e cila shijon më së miri në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Mbi të gjitha është një pjatë plot vlera ushqyese, e rekomandueshme për çdo moshë në familje.
Ju siguroj se kjo supë pëlqehet nga fëmijë e të rritur për një vakt të ngrohtë dhe për të marrë vlerat e duhura kundërt virozave të stinës.
Hikrra është një drith i ngjashëm me grurin, kultivimi i së cilës daton që para 6000 vjetësh në Azinë Juglindore. Më pas hikrra u kultivua në Azinë qëndrore dhe Tibet, për të ardhur më vonë në Europën Lindore dhe Qëndrore.
Hikrra është një nga drithërat pa gluten, e cila njihet për vlerat e saj të larta proteinike. Kështu, hirrka mund të furnizojë 20% te nevojave tona ditore në proteina, fibra, dhe grupin e vitaminave B (B1, B2, B3, B5, B6 dhe B9).
Për më tepër, hikrra përmban 72% karbohidrate, nga të cilat 10% janë fibra ushqimore që përmirësojnë tretjen. Gjithashtu përmban 10% ujë, 13% proteina dhe 3% yndyrja.
Gjithashtu duke konsumuar hikrrën jo vetëm sigurojmë një burim të lartë energjie ushqimore, por edhe shumë kripëra minerale, si magnez, manganes, fosfor, niacin, etj.
Hikrra gatuhet kryesisht në supëra, sallata, rizoto dhe mund të kombinojmë me të dhjetra receta.
Kjo është një prej supave me hikërr që ju sugjerojmë për kohën e ftohtë.
Ju mund të provoni edhe supë me Kungull të verdhë.
Përbërësit
- 300-400 g mish viçi tul
- 1-qepë e thatë
- 1-presh
- 1-karrotë
- 1-kungulleshkë
- 1-patate
- 90 g hikërr
- 3-4 lugë Vaj ulliri
- Kripë, piper, majdanoz dhe gjethe dafine
Përgatitja
- Hikrrën e lajmë mirë dhe e ziejmë paraprakisht veçmas në raportin 1:2 me ujë.
- Mishin e viçit e kemi prerë në copa, e lajmë mirë dhe e ziejmë edhe këtë paraprakisht më parë, pasi koha e gatimit të peimeve është shumë më e shkurtë. Mund të përdorni një tenxhere presioni për ta gatuar mishin e viçit për 30-40 minuta.
- Të gjitha perimet do i pastrojmë me kujdes. Kështu pastrojmë qepën nga lëkura dhe e presim në kubikë imët.
- Lajmë karrotën, kungulleshkën, preshin, dhe pataten mirë. I qërojmë nga lëkura karrotën dhe pataten dhe e presim në kubikë. Po kështu presim edhe kungulleshkën.
- Do të presim edhe preshin imët.
- Në një tenxhere shtojmë 2 lugë vaj ulliri, qepën, preshin dhe karrotën dhe i kaurdisim 2-3 minuta sa të zbuten. Shtojmë edhe perimet e tjera dhe mishin e zierë dhe i kaurdisim edhe 2 minuta të tjera.
- Do ti mbulojmë të gjitha me lëngun e mishit. Shtojmë dafinën, majdanozin e prerë imët, kripë, piper, hikrrën e zierë më parë dhe i lëmë të gatuhen të gjitha së bashku për 10-15 minuta sa të zihen perimet mirë.
- Në fund, e shijojmë supën me kripë, piper, nëse duhet, majdanoz të freskët dhe vaj ulliri.
- E shërbejmë supën sipas dëshirës të ngrohtë.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”