Kjo recetë e Orekiete Me Salçiçe e Brokoli është një pjatë e parë shumë e shijshmë, të cilën mund ta shërbejmë për një drekë apo darkë në familje. Oriekete është një lloj makarone e shkurtër, e cila mund të përgatitet dhe konsumohet qoftë si pjatë e ngrohtë nme salca të ndryshme sipas dëshirës, apo edhe në sallata të ftohta.
Kombinimi i brokolit me salçiçen e freskët është shumë i shijshëm në këtë recetë dhe pjata pëlqehet nga çdo grup moshë, përfshirë edhe fëmijët, të cilët i nxisim të hanë më tepër perime duke i përdorur ato në recetat tona.
Receta përgatitet shumë shpejt dhe në pak minuta mund të shërbejmë vaktin tonë. Kjo pjatë gatuhet me pak përbërës por njëkohësisht është një pjatë e plotë për tu konsumuar edhe si pjatë unike, nëse duam të konsumojmë një vakt të lehtë.
Ju mund të provoni edhe Tagliatele Me Salmon dhe Brokoli
Përbërësit
- 500 g Orekiete
- 3 salçiçe të freskëta
- 1 brokoli
- 1 qepë e vogël
- Spec djegës
- 6 domate të vogla
- Kripë e piper
- Vaj ulliri
- Majdanoz i freskët
- ½ gotë Verë e bardhë
- Djath parmixhano i grirë
Përgatitja
- Në një tigan hedhim vaj ulliri dhe shtojmë qepën e grirë hollë. Shtojmë edhe specin djegës.
- E lëmë të gatuhet pak sa të zbutet dhe shtojmë salçiçen të cilën e kemi pastruar nga cipa që e mbështjell dhe e kemi copëtuar me ndihmën e dy pirunëve.
- E lëmë të gatuhet salçiçja për 2 minuta dhe e shuajmë me verë.
- Lëmë të avullojë alkoli dhe shtojmë kripë e piper. I presim domatet në gjysëm dhe ja shtojmë salcës.
- Ndërkohë kemi prerë dhe larë brolokin të cilin e zjejmë në ujin e vluar ku do të zjejmë makaronat për 2 minuta.
- E heqim me ndihmën e një luge kullese dhe e shtojmë te salca. Shtojme majdanoz të freskët dhe salca është gati.
- Hedhim makaronat të zjejnë 1 minutë më pak se koha e shënuar në paketim. Do i kullojmë al dente dhe i shtojmë në tiganin e salcës ku do të shtojmë edhe pak nga uji i zjerjes së makaronave.
- I përziejmë për 2 minuta me njëra- tjetrën të marrin shijen e salcës. I hedhim një fije vaj ulliri të freskët.
- I shërbejmë të ngrohta me djath parmixhano të grirë sipër.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini komentet tuaja, pyetjet apo ta ndani këtë recetë me miqtë tuaj. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.