Black Mussels Recipe-Midhja e Zezë Sotè

Midhja është një nga prodhimet e detit që rritet si në gjendje të egër si  dhe e kultivuar. Kur vjen stina e verës dhe ndodhesh me pushime buzë detit në bregdetin Jonian, nuk ndodh të mos shijosh një pjatë me midhje. Sot unë do ju tregoj si të gatuani Midhje Sotè, një aperitiv apo shoqëruese shumë e mirë e një dreke apo darke me prodhime peshku.

Midhja e zezë e liqenit të Butrintit është një nga produktet e ujërave të kripur, që është gatuar ndër dekada në kuzhinat dhe restorantet Shqiptare, dhe për cilësinë e lartë shumë prej prodhimit të midhjes së zezë eksportohej. Në vitet e fundit prodhimi i midhjes kryhet edhe në rezervate të instaluara në det, ndaj në stinën e verës kemi të gjithë mundësi të gjejmë midhje të freskëta në markatat e Peshkut, me kosto të pranueshme.
Mjafton të keni dëshirën ta gatuani, dhe me midhje mund të realizoni pjata të para dhe kryesore, të shijshme dhe të shpejta. Midhja kombinon shumë mirë me frutat e tjera të detit, apo zarzavate të stinës. Ideale për pasta, rizoto, por dhe tava të furrës. Receta e sotme është shumë e thjeshtë, një pjatë gati në pak minuta.

Përbërësit Për 4 Persona

  • 1kg -midhje të zeza
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • 1- thelp hudhër
  • 1- spec djegës, nëse preferoni gatimet pikante
  • Kripë, piper
  • Majdanoz, borzilok
  • 100ml verë të bardhë

Përgatitja

  1. Sigurohuni të blini midhje të freskëta dhe midhjet që do të gatuani të jenë të padëmtuara apo thyera në guaskën e tyre.
  2. Pastrojmë midhjet nga leshterikët me të cilët ato mbahen dhe janë mbështjellë në pjesën e sipërme të guaskës. Për pastrimin mund të përdorni një thikë duke gërryer leshterikët, ose një furçë apo tel kuzhine për të pastruar pjesën e jashtme të guaskës, pasi keni këputur me dorë leshterikët e secilës guaskë. Një mënyrë tjetër është të fusni midhjet në një qese ku të shtoni dhe kripë të trashë, dhe të tundi qesen e mbyllur fort, derisa kripa të shkëpusë leshterikët dhe pastroj pjesën e jashtme të guaskës. Në çdo mënyrë i shpëlajmë midhjet mirë në ujë të rrjedhshëm. Pasi përfundojmë pastrimin, që është dhe pjesa që kërkon më shumë kohë në këtë recetë, fillojmë me gatimin.Black Mussels Recipe-Family Cooking Recipes
  3. Marrimnjë tigan të thellë me diametër të gjerë dhe shtojmë vajin e ullirit, hudhrën dhe specin djegës, nëse e preferoni. Lëreni vajin të ngrohet dhe aromatizohet 1-2 minuta dhe shtojmë midhjet e lara dhe të kulluara nga uji. Vendosni një kapak që të hapen midhjet më shpejtë.Black Mussels Recipe-Family Cooking Recipes
  4. Kur të fillojnë midhjet të hapen, në flakë të lartë shuajini me verë të bardhë, dhe shijojini me pak kripë dhe piper.  Kini kujdes të shtoni shumë pak kripë, ose dhe fare, pasi midhja kur të hapet do të lëshojë ujin e vetë, që është i kripur duke qenë se rritet në det, dhe mund tu bëhet shumë i kripur lëngu.Black Mussels Recipe-Family Cooking Recipes
  5. Në fund shtoni majdanoz ose borzilok të grirë, ose ndonjë erëz tjetër që ju preferoni më tepër. Midhjet që nuk janë hapur nuk duhen konsumuar, pasi kjo tregon që ato kanë qenë pa jetë.
  6. Shërbejini midhjet sotè të ngrohta së bashku me lëngun e tyre që është shumë i shijshëm.Black Mussels Recipe-Family Cooking Recipes
Shënim:  Në këtë mënyrë do të hapni midhjet edhe për ti përdorur ato me pas në salcë për pasta apo për ti shtuar në rizoton me fruta deti, por më gjatë këtë recetë do e shkruajmë një herë tjetër.
Deri atëherë, ushqehuni shëndetshëm dhe ju befshin mirë Midhjet Sotè.
Faleminderit që vizituat një tjetër recetë nga gatimet tona.

Leave a Comment