Fasulja mbetet një nga bishtajoret që mbizotëron në gatimet tona gjatë vjeshtës dhe dimrit. Sot duam të ndajmë Fasule Pllaqi Në Tavë. Kjo është një pjatë tradicionale shqiptare, e cila gatuhet kryesisht në Shqipërinë Juglindore ku dhe kultivimi i saj është edhe më i madh. Kjo recetë gatuhet në furrë, e thjeshtë për tu pregatitur, një pjatë e dytë vegjetariane shumë e shijshme, për çdo ditë të ftohtë vjeshte dhe dimri.
Ju mund të lexoni edhe recetën e qofteve me fasule këtu.
Përbërësit
- 400 g fasule pllaqi
- 1 qepë
- 1 karrotë
- 1 spec i kuq
- 2 domate të kuqe ose 3-4lugë salcë domate
- Gjethe dafine, 1 spec djeges, piper i zi, kripe,
- Vaj ulliri, spec i kuq pluhur, rigon. 2 thelpinj hudher
Përgatitja
- Fasulet i pastrojmë nga papastërtitë dhe i lajmë me ujë të rrjedhshëm. I fusim në një tas dhe i mbulojmë me ujë të ftohtë për disa orë. Unë i lashë për rreth 4 orë, por mund ti lini edhe gjithë natën.
- I shpëlajmë fasulet mirë dhe i vendosim të ziejnë në një tenxhere me ujë të ftohtë. Pasi kanë marrë valë dhe zier për disa minuta, jua ndërrojmë ujin me ndihmën e një kullese.
- I shpëlajmë me ujë të ngrohtë dhe i vendosim të ziejnë në tenxhere me rreth 2 litra ujë të ngrohtë të ziejnë për 25-30 minuta. Shikojeni vet rezultatin, sepse kokrra duhet të jetë e butë dhe jo e shpërbërë. Mund ti zieni edhe në tenxhere me presion për 15-20 minuta. Pasi të fillojë tenxherja të ziejë, uleni nxehtësinë në minimum.
- Në një tigan do të kavërdidim me disa lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë, dhe karrotën në kuba të vegjël. Shtojmë edhe specin e kuq të grirë në kuba dhe i përziejmë derisa të zbuten për 5 minuta.
- Shtojmë domaten e qëruar nga lëkurat dhe të grirë në rende ose mixer.(ose salcën e domates) dhe kur të jetë krijuar salca shtojmë kripë, piper të zi, erëzat dhe i përziejmë të gjitha.
- Salcën e krijuar me perimet e shtojmë te fasulet dhe e lëmë të ziejnë bashkë për 3-5 minuta. Ndërkohë kemi ndezur furrën në 200 gradë dhe fasulet i fusim në një tavë qeramike.
- I shtojmë edhe gjethet e dafinës, hudhrën e grirë dhe vaj ulliri sipër .
- E fusim në furrë për 30 minuta . E shërbejmë të ngrohtë me copa buke të thekur ose me një pilaf të shijshëm.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit për suportin tuaj duke ndarë dhe komentuar këtë recetë. Lutem lini komentet dhe pyetjet tuaja në formën më poshtë.