Rosto Viçi e Pjekur është një pjatë kryesore shumë e shijshme, e cila vlen të shijohet në një drekë familjare me raste festash por edhe për bankete në gëzime familjare.
Receta është tradicionale dhe ne do e prezantojmë për ju si e gatuajmë në familjen tonë. Gjithashtu ju propozojmë një servirje ndryshe shoqëruar me një salcë të shijshme nga lëngu i rostos dhe perime të furrës.
Ju ftojmë të provoni edhe brinjë viçi në furrë.
Përbërësit
- Një rosto vici 1 kg ose me shumë
- Kripë, piper ,vaj ulliri , rozmarinë
- 2 Karrota
- 1 kokë hudhër e plotë
- 1 gotë verë e bardhë
Për të shoqëruar
- 2 patate
- 2 kërpudha
- 1 karrotë
Për salcën
- Lëng nga gatimi, 1 lugë çaji niseshte, pak gjalp.
Përgatitja
- Pjesa e rostos së viçit është një pjesë muskuli e veçantë në formë cilindrike me gjatësi 30-40 cm, që ndodhet në pjesën e kofshës. Ju mund ta gjeni lehtësisht pranë pikave të autorizuara për tregëtimin e mishit të freskët apo të kasapi juaj i besuar. Madhësia varet nga sa i madh është Viçi.
- Mishin e rostos do ta pastrojmë nga pjesët e dhjamit. Do ti bëjmë disa shpime me thikë në mënyrë gjatësi dhe do të fusim në to karrotë, të cilën e kemi prerë në mënyrë gjatësore në 4 pjesë.
- Do të fusim edhe thejpinj të plotë hudhre të qëruar, gjithashtu duke bërë shpime të tjera.
- E marinojmë mishin me kripë e piper. Në një tigan do të shtojmë pak vaj ulliri dhe do të vendosim një degë rozmarine që të aromatizojë vajin.
- Sa të nxehet vaji do të vendosim mishin dhe do ti bëjmë një kthim nga të gjitha anët në mënyrë që mishi të ruaj brenda tij të gjithë lëngjet që ka dhe të dali i butë në pjekje.
- Kthejeni me kujdes dhe mos e shponi mishin me pirun sepse dalin lëngjet. Pasi të shikojmë që rosto ka ndryshuar ngjyrë , do ta shuajmë me verën e bardhë.
- E lëmë të avullojë alkooli dhe do do ta kalojmë mishin në një tavë furre, me gjithë lëngun në tigan. Do ta pjekim për rreth 1 orë e 20 minuta, ( në total) të mbuluar me letër alumini. Nga fundi mund të shikoni a është i butë duke ngulur një pirun dhe të shikojmë a shkëputet lehtë.
- Do të përgatisim dhe perimet duke i pastruar dhe prerë në mënyrë gjatësore. Do ti marinojmë me kripë e vaj ulliri dhe do ti vendosim në një tavë furre. Mund ti piqni në tava të veçanta ose nga mesi i pjekjes ta kalojmë roston në tavën e perimeve dhe të vazhdojmë pjekjen. (lëngun e tavës do ta përdorim për salcën).
- Pasi të jetë pjekur mishi duhet të rrijë të pushojë dhe për këtë e heqim nga tava dhe e mbulojmë me letër alumini. Kur të ftohet ca, e presim në feta të holla dhe e shërbejmë me salcën e përgatitur.
- Për të shoqëruar roston do të na duhet që përgatisim një salcë me lëngun që ka lëshuar vet mishi. Do të shtojmë pak ujë të nxehtë në tavën e pjekjes dhe do ta kullojmë në një tenxhere të vogël. Do të hollojmë pak niseshte me pak ujë dhe do ta shtojmë te lëngu që të trashet në zjarr të ngadaltë. Shtojmë dhe pak gjalp që ti japim më shumë shije.
- E rregullojmë salcën me kripë e piper. E servirim të ngrohtë të shoqëruar me perime dhe salcën e vet. Kjo është një pjatë festive të cilën mund ta shijoni , edhe për Ditë të Dielë apo Ditën e Verës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën. Në vlerësojmë opinion tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.