Sallata me Oktapod është një pjatë shumë e shijshme, e cila në stinën e verës shijon edhe më tepër shoqëruar me një gotë verë të bardhë dhe gatime të tjera me produkte deti. Oktapodi kombinon shumë mirë me pastat dhe perimet si karrota, paratja, domatja, etj, për të përgatitur pjata të para, sallata apo aperitiv shumë të shijshëm. Gatimi i oktapodit është i thjeshtë. Mund ta gatuajmë duke e zierë, marinuar, apo dhe kaluar në tigan me erëza dhe duke e shuajtur me verë të bardhë. Receta e sotme është sallata klasike e oktapodit, e shijshme dhe plot aromë deti.
Përbërësit
- 500-600 g oktapod i freskët
- 2 karrota
- 1-2 degë selino
- 1 thelp hudhër i paqëruar
- Disa gjethe dafinë
- 1 tufë majdanoz i freskët
- 1 kokërr limon ( lëngu)
- Kripë
- Val ulliri
Përgatitja
- Së pari duhet të pastrojmë oktapodin duke hequr me ndihmën e një thike pjesën e syve dhe pjesët e brendshme të barkut, që në rastin e oktapodit janë të vendosura tek ajo që e quajmë pjesa e kokës, pasi pjesa tjetër janë këmbët. Mos e çani qesen, hiqeni siç është. Nëse rastis të kapni apo blini oktapod shumë të madh, mund ta godisni pas një guri, që të zbuten disk muskujt.
- Mbushim një tenxhere me ujë dhe e vëmë të vlojë. Qërojmë karrotat, i presim në copa jo shumë të vogla dhe i shtojmë tek tenxherja me ujë. Po kështu veprojmë me selinon duke e prerë në copa dhe vendosur të ziejë. Shtojmë tek uji edhe gjethe dafinë dhe një thelp hudhër të larë dhe të paqëruar.
- Kur uji të marrë të vlojë, shtojmë kripën dhe zhysim oktapodit nga pjesa e këmbëve dhe e nxjerrim sërish. Përsërisim këtë proçes 3-4 herë, dhe do vëmë re që këmbët do të mblidhen role.
- Zhysim oktapodin plotësisht dhe lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë për rreth 1 orë. Lëmë oktapodin të ftohet dhe e presim në copa rreth 1-2 cm. Mund të shtoni dhe karrotat dhe selinon të prërë në copa.
- Në një enë përgatisim një marinim me vaj ulliri, lëng limoni dhe majdanoz të grirë imët.
- E shtojmë këtë marinim te sallata. Mund ta konsumojmë direkt ose dhe ta ruajmë në frigorifer për një ditë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni, duke lënë komentet, pyetjet, apo ndarë recetat tona.
Ne do ju përgjigjemi sa më shpejt.