Mënyrat dhe recetat e gatimit të pulës janë të shumta. E gatuar e pjekur, në tigan, grill, avull, skuqur, furrë, tenxhere me presion, apo microvalë, me pulë mund të përgatisim pjata të para, sallata, aperitivë dhe pjata kryesore të panumërta. Në sot do ju përcjellim një recetë të gatimit të pulës në tigan, konkretisht bëhet fjalë për Recetën e Pulës së Gjuetarit.
Përbërësit për 4-6 Persona
- 1 pulë e plotë 1-1.5 kg
- 1 qepë
- 2-3 domate të kuqe
- 2 thelpinj hudhër të qëruar
- 1 degë rozmarine
- 2-3 gjethe sherebelë
- 1/2 gote verë e bardhë
- Kripë dhe piperi zi
- Vaj ulliri
Përgatitja
- Pregatisim pulën duke e prerë në pjesë anatomike. I lajmë pjesët e pulës dhe i thajmë me letër kuzhine.
- Në një tigan të madh të thellë me Pak vaj, hedhim hudhër, degën e rozmarinës dhe sherebelën.
- E vendosim tiganin në zjarr të mesëm që të marri aromën e erëzave, të nxehet dhe shtojmë pjesët e pulës.
- I kthejmë nga të gjitha anët për rreth 4 -5 minuta dhe i shuajmë me verën e bardhë. E lëmë të avullojë pjesa alkolike në nxehtësi të lartë, ulim flakën dhe shtojmë qepën e grirë në kubikë. Shtojmë dhe kripë dhe piper të zi dhe e mbulojmë pulën me kapak për disa minuta sa të zbutet qepa.
- Shtojmë dhe domaten e grirë në rende ose kubikë, pasi i kemi hequr lëkurën.
- Mund të përdorim edhe domate të konservuar, por meqë jemi në stinën e verës i përdorim të freskëta.
- E mbulojme tiganin me kapak dhe e lëmë pulën të gatuhet në temperaturë të ulët për 45 minuta. Mund ti shtoni edhe 1 gotë ujë nëse vini re që pula është shumë e thatë ose është shumë e madhe, por mund të gatuhet edhe pa i shtuar fare ujë vetëm me lëngun e vet.
- Nga mesi i gatimit mund ti ktheni copat e pulës nga ana tjetër. Pula do te dali e butë dhe e lëngshme. Mund ta shoqërojme me patate furre, ose pilaf.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që zgjodhët një tjetër recetë nga faqja jonë.
Irinda