Reçelërat janë një ushqim i krijuar si mënyrë për të konservuar frutat dhe për ti pasur ato edhe jashtë stinës që piqen. Sot, dëshirojmë të ndajmë me Ju, Reçelin Më Të Mirë Të Luleshtrydhes Përgatitur Në Shtëpi.
Ne rekomandojmë që në kohën e pjekjes së frutave të ndryshme, nëse mundeni të përgatisni reçelërat tuaj të preferuar, dhe kështu do të keni mundësi to konsumoni gjatë gjithë vitit. Frutat duhet të jenë të pjekura mirë që të kenë ëmbëlsinë e tyre dhe të mos u hedhim shumë sheqer. Për vaktin e mëngjesit, pasdites dhe për të shoqëruar ëmbëlsira të ndryshme janë ideal.
Përbërësit
- 2 kg luleshtrydhe
- 750 g sheqer
- 1 limon
Përgatitja
Luleshtrydhet duhet të jenë të pjekura dhe të freskëta.
- I lajmë dhe i lëmë të kullojnë në një kullesë makaronash.
- I pastrojmë nga bishtat dhe i presim në copa. Të voglat mund ti lëmë të plota.
- I fusim në një enë dhe i hedhim sipër 1/4 e sasisë së sheqerit. E lëmë në frigorifer gjithë natën.
- Të nesërmen, kullojmë lëngun në një tenxhere inoksi. Shtojmë edhe sheqerin dhe e vendosim në zjarr të mesëm për rreth 7-8 minuta sa të na krijohet një shurup i trashë.
- Shtojmë në të dhe luleshtrydhet dhe i zjejmë duke i perzierë here pas here në zjarr të ulët për rreth 15 minuta.
- Nga fundi shtojmë edhe lëngun e limonit.
- E fikim dhe kur të jetë ftohur pak e shikojmë trashësinë e reçelit në një pjatë të ftohur nga frigoriferi. Nëse duhet e vendosim reçelin të ziejë edhe për disa minuta të tjera.
- Pasi të jetë gati, kemi dy mënyra konservimi.
Mënyra e parë: Hedhim reçelin e nxehtë në kavanozët e larë dhe të sterilizuar, i mbyllim dhe i kthejmë përmbys derisa të ftohen komplet.
Mënyra e dytë: E lëmë reçelin të ftohet dhe e fusim nëpër kavanoza të sterilizuar. I mbyllim dhe i sterilizojmë në banjomari për 20 minuta. Mbështillini me një peshqir kuzhinë kavanozat, që të mos përplasen gjatë zierjes. Lërini të ftohen në tenxhere, dhe më pas vendosini në një vend të thatë ku ruani zairetë.
Mund ta ruajmë reçelin në këtë mënyrë për 1 vit. Kur hapet kavanozi e ruajmë në frigorifer deri në konsumim.
Faleminderit që na zgjodhët sërish.
Mos ngurroni të lini komentet tuaja.
Irinda