Kjo Recetë e Supës me Pulë të Gatuar në Shtëpi është shumë e shijshme dhe e shëndetshme, për ta konsumuar nga çdo moshë, edhe për fëmijët e vegjël. Përgatitja është e thjeshtë dhe e shpejtë. Kjo është një pjatë e parë e përshtatshme për çdo vakt dreke apo darke. Me do të sjellim recetën me makarona supe, por në të njëjtën mënyrë mund ta përgatisim me oriz ose bollgur.
Përbërësit 4-6 Persona
- 1/2 pulë e vogël
- 1 qepë
- 1 karrotë
- 1 tufë majdanoz
- 100 g makarona supe
- 50 ml qumësht
- 1 limon
Përgatitja
- Lajmë pulën e prerë në copa të cilës i kemi hequr lëkurën. Për të realizuar shpejt recetën do të përdorim një tenxhere me presion.
- Në tenxheren me presion do të fusim pulën e prerë dhe pastruar, do të shtojmë një karrotë të qëruar dhe të prerë në copa të mëdha. Shtojme dhe 1 qepë të vogël të qëruar, 2 degë majdanoz, pak kripë, ujë sa të mbulohet dhe e vendosim të ziejë në zjarr mesatar për 20 minuta.
- Pasi të ketë zierë e lëmë pulën të ftohet, kullojmë lëngun e pulës dhe e vendosim në një tenxhere tjetër. Mund ta shtojmë me ujë në varësi të sasisë së supës që duam të përgatisim.
- E vendosim tenxheren në zjarr të vlojë, dhe pasi të marri valë hedhim makaronat e supës të ziejnë sipas kohës së treguar në paketim. Mund të përdorni llojin dhe formën e Makaronave që ju pëlqen.
- Pastrojmë mishin nga kockat dhe e shtojmë te supa. Karrotën e zierë e shtypim me pirun, duke e bërë pure dhe e shtojmë në supë.
- Pasi të kenë zierë makaronat, rregullojmë supën me kripë, piper dhe majdanoz të grirë.
- Në fund, pasi e kemi hequr supën nga zjarri i hedhim qumështin e përzierë me lëng limoni. Shtojmë dhe pak vaj ulliri dhe e shërbejmë të ngrohtë. Hidhini vetem pak lëng limoni, pjesën tjetër e hedh çdo person në pjatë sipas dëshirës.
Shënim: Sipas dëshirës mund të shtoni edhe një të verdhë veze te qumështi dhe lëngu limonit, por në këtë rast do e lëmë supën të marri edhe 2 minutes valë. Pasi të kulloni lëngun e pulës, si vepruam me makaronat, do të gatuajmë edhe orizin, nëse pëlqeni ta gatuani me oriz. Mund të përdorni edhe selino për përgatitjen e lëngut të pulës. Për bebet përdorni makarona për moshën përkatëse dhe mishin ta bluani pure.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni duke lënë komentet dhe pyetjet tuaja më poshtë, apo dhe duke ndarë këtë recetë.