Best Eggplant Meatballs-Qofte Me Patëllxhanë

Patëllxhani është një nga zarzavatet e preferuara të stinës së verës. Atë mund ta gatuajmë në të gjitha mënyrat, të pjekur, të skuqur, në avull, në grill, apo në mikrovalë dhe të përgatisim receta të mrekullueshme. Ne do ju servirim ditë pas dite një larmi recetash me këtë zarzavat, por sot do ju sjellim Qoftet me Patëllxhan, të lehta dhe delikate në të shijuar dhe të pëlqyera për tu konsumuar nga çdo moshë. Mund ti përgatisni në madhësi normale të qoftes, por edhe të vogla si një finger food shumë i shijshëm.
Qoftet me patëllxhan mund të gatuhen të skuqura ose të pjekura në furrë dhe ne do të ndajmë me Ju pikërisht mënyrën e dytë, pasi preferoj personalisht për fëmijët e vegjël gatimet e pjekura dhe jo të skuqura. Ju mund të zgjidhni kë të doni pasi përbërësit dhe përgatitja është e njëjtë.
Gjithashtu qoftet me patëllxhan mund të gatuhen si një recetë  vegjetariane, por mund të kombinohen edhe me mishin e grirë për ATA që preferojnë shumë mishin.
Ne ju sugjerojmë variantin vegjetarian, i cili është më i lehtë dhe më delikat në shije.

Përbërësit 

  • 500g patëllxhan
  • 100 g djath i grirë
  • 50-100 g bukë e thekur për brumin, plus bukë e thekur për të lyer qoftet nga jashtë.
  • 1 vezë
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz i freskët, borzilok, ose rigon

Përgatitja

  1. Nxehim furrën në 200 gradë.
  2. Lajmë patëllxhanët, i lyejmë me pak kripë dhe vaj dhe i mbështjellim me letër alumini të plotë siç janë dhe pa i prerë.
  3.  I vendosim në një tavë furre dhe i vendosim të piqen për 20-25 minuta në furrën e nxehur më parë. Mbështjellja dhe pjekja me letër alumini është për një gatim më të shpejtë. Nëse ju nuk doni të përdorni letër alumini, mund ti piqni patëllxhanet të paprera për rreth 1 orë.
  4. Pasi piqen patëllxhanët, i lëmë të ftohen, i pastrojmë nga lëkura, dhe tulin e pjekur e vendosim në një kullesë që të largojmë ujin e tepërt.
  5. Në një tas të thellë, shtojmë tulin e patëllxhanit, vezën, djathin e grirë, bukën e thekur, erëzat, kripë, piper, vaj ulliri. Nëse po i gatuani për fëmijë të vegjël evitoni piperin dhe sasinë e kripës përdoreni të moderuar, pasi edhe djathi ka kripë.
  6. Përziejmë të gjithë përbërësit dhe formojmë brumin e qofteve.
  7. Me të dy duart, i japin formë të rrumbullakët sipas madhësisë që dëshirojmë.
  8. Ndërkohë nxehim sërish furrën në 200 gradë. Best Eggplant Meatballs-Family
  9. Përgatisim një tavë me letër furre ose të lyer me pak vaj dhe përfundojmë përgatitjen e qofteve.
  10. Çdo qofte kalon në bukë të thekur dhe më pas e vendosim në tavën për pjekje. Kështu veprojmë derisa të përfundojë gjithë brumi.
  11. Vendosim qoftet të piqen në furrën e ngrohur për 40-45 minuta, derisa të bëhen krokante nga jashtë.
  12. Qoftet i servirim të ngrohta, por mund të konsumohet edhe të ftohta, janë po aq të shijshme. Do jenë të buta nga brenda dhe krokante nga jashtë.Best Eggplant Meatballs-Family
Ju bëftë mirë!
Nëse preferoni ti skuqni, do të merrni vaj vegjetal, misri ose luledielli dhe do i skuqni qoftet me temperaturë mesatare, duke mos lejuar të digjet vaji.
Vendosini qoftet në letër kuzhinë menjëherë pasi i hiqni nga tigani, në mënyrë që të eleminojmë vajin e tepërt që mund të kenë thithur gjatë skuqjes.
Lutem lini komentet tuaja mbi recetën, ose çdo pyetje që mund tu lindë mbi recetën.
Faleminderit që na vizituat.

Leave a Comment