Krostata apo tartat janë një nga ëmbëlsirat që shijojnë për të gjithë, të lehta për tu përgatitur më bazë brumi Frolla, i cili gatuhet me miell, gjalp, vezë, dhe sheqer. Sot duam të sjellim një recetë të përgatitjes së Krostatës Me Krem Pasticerie Dhe Fruta, një ëmbëlsirë shumë e shijshme për tu servirur pas një vakti, për një festë në familje, për bankete, apo edhe për të shoqëruar një çaj apo kafe në pasditet tuaja.
Për përgatitjen e kësaj ëmbëlsire, dy janë fazat kryesore të saj, përgatitja e brumit dhe kremit, të cilat ne i kemi sjellë me receta të veçanta edhe me parë për ju dhe i gjeni më poshtë të përfshira në këtë artikull.
Best Homemade Custard Recipe-Si Të Përgatisim Kremin E Pastiçerisë
Përbërësit për një tavë me diametër 24-26 cm
Për brumin Frolla
- 200 g miell
- 100 g sheqer
- 100 g gjalp
- 1 vezë
- Lëkurë limoni e grirë
- Pak kripë
Për kremin e Pastiçerisë
- 4 të verdha vezësh
- 500 ml qumësht
- 4 lugë gjelle sheqer
- 2 lugë miell ose niseshte
- Lëkurë limoni ose vanilje
Për përgatitjen e xhelatinës në sipërfaqe të tortës
- 125 ml ujë
- 50 g sheqer
- 8 g niseshte
Fruta të ndryshme për dekor sipas dëshirës
Përgatitja
- Përgatisim brumin siç e kemi treguar më parë dhe e lëmë në frigorifer për 1 orë. Kur jemi gati për të vijuar me përgatitjen e ëmbëlsirës, e nxjerrim brumin nga frigoriferi dhe direkt dhe me ndihmën e letrës së furrës të vendosur lart e poshtë e hapin në një petë duke pasur parasysh edhe diametrin e tavës ku do e pjekim. Ne kemi përdorur për këtë sasi brumin një tavë të veshur me letër furre, me diametër 24-26 cm.
- E transferojmë petën në tavë duke u kujdesur që peta të mbulojë dhe 2-3 cm bordurën anësore. Duhet të vendosim sipër brumit një letër furre dhe sipër saj duhet një produkt që të peshojë. Ne përdorim fasule të thata, duke e mbuluar të gjithë sipërfaqen. Fasulet bëjnë që brumi gjatë pjekjes të ketë peshë dhe peta të krijojë krostën dhe të mos prishi formë duke u fryrë. Kështu kemi mundësi që ta mbushim dhe dekorojmë më pas si na pëlqen, në rastin tonë me kremin e pastiçerisë. (fasulet që përdorim do të piqen kështu që nuk i përdorim për gatime, por i ruajmë veçmas ti ripërdorim sa herë do të pjekim krostata).
- E pjekim petën e krostatës në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë për 20 minuta sa të marri ngjyrën e artë të bukur. E heqim dhe e lëmë mënjanë të ftohet dhe ndërkohë përgatisim kremin e pastiçerisë.
- Për përgatitjen e kremin mund ti referoheni recetës më lart, ndërkohë pasi e përgatisim e mbulojmë enën me letër trasparente dhe e lëmë edhe këtë të ftohet.
- Presim dhe frutat e lara dhe të thara nga uji në feta, të cilat do i përdorim për të dekoruar tortën sipër kremit. Ju mund të përdorni imagjinatën dhe fantazinë tuaj për ta dekoruar, apo dhe ti përshtateni tematikës për të cilën e keni përgatitur ëmbëlsirën tuaj. Në rastin tonë torta është përgatitur për një ditëlindje, dhe numri biskotë është përgatitur me brumë Frolla.
- Bëjmë edhe xhelatinën duke përzierë sheqerin dhe niseshtenë me ujin e ftohtë. I vendosim në zjarr të mesëm të vlojnë për rreth 3 minuta dhe e lëmë edhe këtë masë të ftohet.
- Përgatisim tortën. E vendosim bazën e biskotës në një pjatë servirje dhe e mbushim me kremin e pastiçerisë. Sipër i vendosim frutat dhe i lyejmë me xhelatinë me një furçë. E vendosim tortën në frigorifer të pushojë për të paktën 1 orë që xhelatina të mpikset dhe e servirim në momentin që dëshirojmë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe ndani me ne opinionin tuaj duke komentuar si më poshtë. Jeni të mirëpritur për çdo pyetje apo sygjerim.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.