Supë Krem Pule Me Nenexhik apo Frikase është një pjatë e parë shumë e shijshme për tu shijuar në çdo stinë për një darkë apo drekë në familje.
Duke qenë një supë e lehtë për tu shijuar dhe me shije të freskët prej nenexhikut, edhe pse shërbehet e ngrohtë mund ta përgatisni fare mirë edhe për vaktet tuaja në stinën e Verës.
Receta është pjesë e traditës së kuzhinës shqiptare dhe është shumë e shijshme. Përgatitet fare lehtë dhe gatuhet shpejt.
Frikase gatuhet në shumë vende të botës, kryesisht me mish pule, viçi, ose lepur. Une po sjell sot nje variant të saj të gatuar me gjoksin e pulës. Recetë e shpejtë dhe e shijshme.
Ju mund të hidhni një sy edhe te receta e Mish Shqeto.
Përbërësit
- 1 qepë e vogël
- 1 gjoks pule
- 1/2 gotë verë e bardhë
- 1 lugë miell
- 250 ml qumësht
- 1 lugë gjalp
- Kripë e piper, vaj ulliri
- Nenexhik i freskët
- Limon (lëngu)
Përgatitja
- Do të grijmë qepën hollë dhe do ta kavërdisim me vaj ulliri sa të zbutet.
- Vijojmë kaurdisjen duke shtuar fileton e pulës të prerë në copa të vogla kubike. Shtojmë kripë.
- Do ti kavërdisim copat e pulës bashkë me qepën për disa minuta sa të marrin një ngjyrë të artë. Vijojmë gatimin duke e shuajtur mishin dhe qepën me verë të bardhë dhe e lëmë të avullojë alkooli.
- Pas kësaj, hedhim ujë dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta.
- Në një tenxhere tjetër do të shkrijmë gjalpin dhe një lugë miell dhe do ta kavërdisim si veprojmë për salcën beshamel.
- Shtojmë qumështin dhe do e gatuajmë në temperaturë të ulët duke e përzierë sa të përftojmë salcën. Shtojmë pak kripë.
- Këtë salcë do ta shtojmë te lëngu i përftuar nga zierja e gjoksit të pulës. Salca do i japë kremozitetin e duhur supës.
- Do e lëmë të vlojë për disa minuta. Do të rezultojë një masë kremoze me copat e pulës në të.
- Shijojmë supën me piper të zi, të bluar në moment dhe nenexhik të freskët.
- E shërbejmë supën të ngrohtë, me pak vaj ulliri sipër dhe lëng limoni.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.