Beet And Arugula Salad Recipe-Sallatë Me Panxhar dhe Rukola

Sallatat janë plotësuese shumë të mira të menuve tona familjare, të shpejta për tu përgatitur, të shëndetshme, dhe plot shije, ato mund të konsumohen si shoqëruese të gatimeve të tjera por edhe si vakt i plotë për një person që do të hajë shëndetshëm dhe nuk do të konsumojë shumë kalori. Sot duam të ndajmë recetën e Sallatës me Panxhar dhe Rukola. Jemi në vjeshtë dhe panxhari është një nga perimet që duhet konsumuar, për vlerat ushqimore që mbart si dhe për larminë e recetave që mund ta gatuajmë duke pergatitur pjata të para, të dyta, antipasta, shumë të shijshme. Panxhari është i pasur me Acid Folik, vitamin C, B, Manganezë, Kalcium, Forfor, Hekur, Potasium, etj.
Receta e sotme është shumë e thjeshtë, nëse panxharin e kemi gati të gatuar, përgatitja zgjat më pak se pesë minuta.

Përbërësit për një sallatë për 2 Persona

  • 200 g panxhar i gatuar (pjekur ose zier)
  • 50-100 g rukola
  • 50 g djath Parmigiano ose Grana në copa
  • 1 mollë jeshile
  • 30 g arra

Për marinimin

  • ½ lugë çaji kripë
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • 1-2 lugë uthull balsamike
  • Piper
  • 1 lugë lëng limoni (fakultative)

Përgatitja

  1. Panxharin e kemi zier ose pjekur me gjithë lëkurë, do e qërojmë dhe presim në feta.
  2. Rukolën e lajmë duke e lënë në ujë me sodë, e shpëlajmë mirë, e thajmë.
  3. Në nje pjatë për servirjen do të vendosim panxharin në feta të stivuar bukur në formë rrethore.
  4. Rukolën e copëtojmë pak me duar dhe e vendosim në qendër të pjatës. Sipër do të vendosim mollën jeshilë të qëruar dhe copëtuar në kuba, djathin e prerë në feta të holla, dhe thelpinjtë e arrave. Në një tas të vogël do të përziejmë përbërësit e marinimit dhe do e shtojmë sipër sallatës së përgatitur.

Ju bëftë mirë!

Faleminderit që po provoni edhe një tjetër recetë nga blogu ynë. Jeni të mirëpritur të komentoni recetën në formën më poshtë dhe ta ndani atë me miqtë tuaj.

Leave a Comment