Kek Me Banane Dhe Luleshtrydhe është një ëmbëlsirë jo vetëm e shijshme, por edhe një zgjidhje për të përdorur bananet apo luleshtrydhet e pjekura shumë. Gatimi i tortave me fruta i bën ato plot shije, aromë dhe na ndihmon të përdorim më pak sheqer.
Ky kek përgatitet në pesë minuta, e pjekim dhe gati per tu shërbyer. I përziejmë përbërësit me radhë, pa qenë nevoja ti përziejmë fort apo gjatë. Unë preferova të shtoj edhe dy lugë niseshte ne recetë pasi më pëlqen shkriftësia që krijon niseshtja.
Gjithashtu nëse nuk ju pëlqen bananja mund ta eleminoni dhe ta gatuani këtë recetë vetëm me luleshtrydhe.
Ju mund të provoni edhe Kek me Banane dhe Reçel, apo Banane dhe Ҫokollatë.
Përbërësit
- 2 vezë
- 120 g sheqer
- 90 ml vaj
- 90 ml kos krek ose natyral
- 1 banane
- 200 g miell
- 1 pako fryrës (10 g)
- 1 lugë çaji aromë vanilje
- 2 lugë plot me niseshte
- 200 g luleshtrydhe
- 1 lugë sheqer kokërr për në sipërfaqe
- Sheqer pluhur për dekor
Përgatitja
- Ndezim furrën në 180 gradë. Përgatisim një tavë për pjekje keku me diametër 20-22 cm, duke shtruar një letër pjekje në bazë dhe anët i lyejmë me pak gjalp dhe pudrosim me miell.
- Në një tas qelqi do të hedhim vezët dhe sheqerin dhe do i rrahim me nje tel dore sa të krijohet një masë homogjene.
- Do të shtojmë aty, kosin dhe vajin dhe përziejmë sërish për 2-3 minuta në mënyrë që vaji dhe kosi të bëhen njësh me vezët.
- Shtojmë edhe bananen e shtypur më pirun dhe bërë pure. Përziejmë sërish.
- Do të shtojmë miellin e situr, fryrësin e ëmbëlsirave dhe niseshten e situr gjithashtu dhe do të përziejmë me një spatull sa të na krijohet një brumë homogjen.
- Hedhim një pjesë të brumin të tavë. Një pjesë të luleshtrydheve i presim në copa të vogla dhe i shtrojmë sipër brumit. Mund ti lini ti vendosni të gjitha në sipërfaqe nëse doni ose ti grini dhe copëtoni të gjitha dhe ti shtoni të prera në këtë formë tek brumi. Unë zgjodha ti shtoj një pjesë të prera dhe një pjesë në sipërfaqe.
- Shtojmë sasinë tjetër të brumit, e nivelojmë mirë dhe do të vendosim luleshtydhet e mbetura të prera në mes ose çerek sipas dëshirës.
- I spërkasim më një lugë sheqer kokërr dhe e vendosim kekun të piqet në furrë të parangrohur për 35-40 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh, e cila duhet të dali e thatë.
- E nxjerrim kekun nga furra, e lëmë të ftohet 5 minuta, e heqim nga tava dhe e kalojmë në një pjatë servirjeje.
- Sipas dëshirës mund ta pudrosim ose jo me sheqer pluhur.
- E lëmë të ftohet pak dhe e presim në copa për ta servirur sipas dëshirës. Mund ta shërbejmë edhe të vakët shoqëruar me akullore me luleshtrydhe dhe vanilje. Shumë e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.