Keku Me Qershi dhe Banane është një ëmbëlsirë shumë e thjeshtë dhe e shijshme për stinën e verës. Ju edhe mund të mos e përdorni Banane nëse nuk ju pëlqen, por unë preferoj të përdor mëvpak sheqer dhe më tepër fruta.
Keku është shumë i shijshëm për tu servirur në çdo orë të ditës.
Ju mund të provoni edhe Kek me Banane dhe Luleshtrydhe.
Përbërësit
- 3 vezë
- 120 g sheqer
- 90 g gjalp i shkrirë
- 125 ml kos i bardhë ose me shije Qershie
- 300 g Miell
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- 1 banane e madhe
- Kanellë dhe vanilje
- Pak kripë
- Sheqer pluhur
Përgatitja
- Si fillim lajmë qershitë dhe u pastrojmë bërthamat pa e dëmtuar kokrrën.
- Ndezim furrën në 200 gradë. Përgatisim një tavë keku me diametër 24 cm, duke e lyer me gjalp dhe pudrosim me miell.
- Në një tas qelqi, do shtojmë vezët, pak kripë dhe sheqerin dhe do i rrahim me rrahëse vezësh elektrike sa të krijohet shkumë dhe vezët rrisin volumin.
- Shtojmë kosin dhe gjalpin e shkrirë e të ftohur. Përziejmë sërish mirë.
- Shtojmë vaniljen dhe kanellë pluhur sipas dëshirës.
- Vijojmë gatimin duke shtuar miellin e situr bashkë me fryrësin.
- Do të përziejmë me një spatul dhe kur brumi është gati shtojmë bananen e shijuar me kanellë në copa të vogla ose pure dhe qershitë e pastruara. I përziejmë me kujdes.
- E hedhim masën në formën e pjekjes.
- Do e pjekim në furrë të parangrohur fillimisht në 200 gradë për 10 minuta dhe në 180 gradë për 35-40 minuta. Bëjmë provën me kunjë dhëmbësh.
- E nxjerrim kekun nga furra, e vendosim në një pjatë dhe e spërkas me sheqer pluhur.
- E shërbejmë në copa sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.