Sardelet janë një nga llojet e peshqëve të detit shumë të ushqyeshëm, të pasur me vitamina dhe minerale dhe mbi të gjitha me një kosto të përballueshme nga të gjithë. Sot dëshirojmë të ndajmë një recetë të gatimit të Sardeleve Në Furrë Me Patate Dhe Domate.
Sardelja që kryesisht përdorim dhe rritet në ujërat e detit Adriatik dhe Jon bën pjesë te peshqit blu, të pasur në vitamina B,B12, calcium,potasium,Omega 3, shumë të nevojshme për tu konsumuar nga çdo moshë.
Për më tepër, sardelja mund të gatuhet në tigan, furrë, grill, e tymosur, në tenxhere me presion, për tu servirur si një pjatë kryesore ose antipastë.
Sardelja mund të konservohet, por gjithashtu mund të gatuajmë shumë receta pjatash të para duke e përdorur në gatimin e makaronave, pica, antipastë, sallata, etj.
Receta e sotme është e thjeshtë dhe një mënyrë ndryshe për të servirur sardelen.
Përbërësit
- 1 kg sardele
- 3-4 kokrra patate mesatare
- 7-8 domate qershi ose 1-2 kokrra mesatare
- Kripë, Piper, rigon, 2-3 thelpinj hudhër, vaj ulliri
Përgatitja
- Pastrojmë sardelet nga koka, pjesa e brendëshme e barkut, dhe nga vertebra, duke e hapur sardelen fileto.
- Për heqjen e vertebrës së shpinës do mbani sardelen me njërën dorë dhe gishtin i madh i dorës tjetër do përshkojë gjithë gjatësinë e vertebrës që ta shkëpusi disi nga pjesa e filetos.
- Kapim vertebrën nga pjesa e kokës dhe tërheqim me kujdes drejt bishtit. Pjesa e ngelur e sardeles do jetë fileto si një fletë libri e palosur.
- Përgatisim dhe përbërësit e tjerë. Qërojmë patatet dhe i presim në fije të holla rrumbullake. I vendosim në enë me ujë të mos oksidohen.
- Lajmë domatet dhe i presim në mes ose feta të holla nëse nuk janë domate qershi.
- Ndezim furrën në 200 gradë.
- Shpëlajmë patatet, i kullojmë, i marinojmë me kripë, piper, rigon.
- Në një tavë për pjekje, shtrojmë një shtresë me fetat e patateve, shtrojmë sardelet në fileto, dhe domatet.
- E shijojmë tavën me kripë, piper, hudhër të grirë, rigon, dhe vaj ulliri. Mund ti vendosim edhe në dy shtresa në varësi të tavës që do përdorni, por do e lëmë tavën pak më shumë në pjekje në mënyrë që patatet të na piqen mirë.
- I vendosim të piqen për 35-45 minuta.
- I shërbejm të ngrohta si një pjatë kryesore.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.