Kjo recetë e Merluc i Furrës Me Perime është shumë e shijshme dhe mund të serviret për gjithë familjen përfshirë edhe fëmijët e vegjël, duke u kujdesur që për fëmijët të mos përdorim piper dhe shumë kripë. Merluci është një peshk që ka shije të lehtë dhe nuk nuk përmban shumë hala dhe për këtë e përdorim shpesh edhe për fëmijët si në supra ashtu edhe të furrës. I gatuar me perime jo vetëm merr një shijë tjetër por në këtë mënyrë edukojmë gjithë familjen të konsumojë larmi zarzavatesh.
Peshku është një ushqim shumë i shëndetshëm për organizmin e njeriut. Duhet të konsumojmë peshk të paktën një herë në javë. Ne ju rekomandojmë të zgjidhni peshkun që dëshironi dhe gatuheni atë ashtu si ju pëlqen, por e rëndësishmë që ta bëni pjesë të menusë tuaj ushqimore për gjithë familjen.
Në këtë recetë ne kemi zgjedhur të gatuajmë peshkun merluc në furrë të pjekur me perime të ndryshme, ku në pak minuta përgatisim recetën dhe pjesa tjetër i mbetet furrës që përgatit vaktin për ne. Unë kam përdorur perime që i gjejmë në këtë stinë, ju mund të shtoni ose jo perimet që keni më shumë dëshirë në këtë recetë.
Ju mund të provoni edhe Linguine Me Vezë Merluci
Përbërësit për 4 Persona
- 2 merluc të mëdhenj
- 2 karrota
- 2-3 patate mesatare
- 2 kungulleshka
- 2 speca jedhil
- 1 spec i kuq
- 7-8 domate të vogla
- kripë e piper
- vaj ulliri
- majdanoz i freskët
Përgatitja
- Si fillim pastrojmë peshkun, e lajmë, thajmë dhe e marinojmë me kripë, piper dhe vaj ulliri.
- Pastrojmë dhe presim perimet në kubik dhe i fusim në një tavë të madhe furre. Duke qenë se merluci është një peshk që gatuhet shpejt, unë preferoj ti pjek perimet 15-20 minuta përpara se të shtoj edhe merlucin në tavë bashkë me to.
- I marinojmë me kripë, piper dhe vaj ulliri dhe i pjekim për 15-20 minuta sa të marrim një faqe në furrë të parangrohur në 200 gradë. Do të vendosim peshkun sipër perimeve. Vendosim edhe pak majdanoz në barkun e merlucit.
- E pjekim tavën në furrë të nxehur më parë në 200 gradë edhe për 30-40 minuta. Mund edhe ta mbuloni tavën që peshku të mos thahet. Unë zgjedh ta pjek në programin automatic të furrës për pjekjen e peshkut, pasi e gatuan peshkun të butë dhe plot lëng.
- E servirim peshkun me perimet e furrës të ngrohtë me majdanoz të freskët të grirë sipër.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe mbështesni duke provuar, komentuar dhe pyetur për recetat tona. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.